I riu nga Podujeva kafshohet nga gjarpri, detyrohet të kërkojë ndihmë në spitalin e Mitrovicës së Veriut
Fatbardh Hyseni nga Podujeva është kafshuar të martën nga një gjarpri dhe menjëherë ka kërkuar ndihmë në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare. Aty ai ka qëndruar për disa orë, por nuk iu bë zgjidhje, e më pas ka kërkuar trajtim edhe në Klinikën Infektive.
I riu nga ka treguar se më pas është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, pasi nga Infektivja janë përgjigjur negativisht, duke mos pasur në stok ilaçin kundër helmimit nga kafsha.
“Kam prit disa orë në Emergjencë, por askush nuk u interesojke për mu. Tani kena lyp në Infektivë. Më kanë çuar edhe në Kirurgji Plastike se më ka ra të fikët. Na thanë që s’ka serum as në Infektivë”, ka deklaruar Hyseni për gazeta “Shneta”.
Më tutje, ai ka thënë se ilaçin e kanë kërkuar edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, por as atje nuk kanë gjetur zgjidhje. Më pas, ai ka thënë se janë detyruar ë kërkojnë ndihmë në spitalin e Mitrovicës së Veriut.
“Mbrëmë kemi ardhur këtu dhe më kanë pritur mirë. Më kanë dhënë serumin dhe tani jam më mirë. Më kanë kërkuar të qëndrojë edhe sonte në spital për të më përcjellë gjendjen”, ka treguar pacienti.
Ndërsa drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Plastike në QKUK, dr. Zejnë Buja, ka konfirmuar për gazetën “Shneta” rastin e Hysenit.
Ai ka thënë se kafshimi i gjarprit është rast për Klinikën Infektive, por për shkak të gjendjes me Covid është pranuar në Plastikë.
“Po e kemi pas një rast dje. Ka shkuar në Mitrovicë për shkak se në QKUK kishte mungesë të serumit”, ka thënë Buja.