I riu nga Tirana punësoi 140 persona në Kosovë
Nga viti në vit tregut të Kosovës po i shtohen miliona euro investime në të bërit biznes nga Shqipëria. Potenciali i të rinjve për njohjen e gjuhëve të huaja dhe komunikimi është bërë arsye që një nga investimet të jenë qendrat e thirrjeve.
Fiorin Dervishi nga Tirana këtë “start up” e ka nisur në Prishtinë para tre vjetësh me një ekip prej vetëm 9 personash, për t’u zhvilluar tash me një ekip prej 140 personash dhe një moshë mesatare 22-25 vjeç. Ai ka treguar se pengesa e vetme që e ka hasur ishte paragjykimi i kësaj industrie, si një vend pune jodinjitoz.
“E para e punës jemi shqiptarë dhe ndihma e parë që duhet të bëhet është hapësira shqiptare, apo hapësirat shqipfolëse. Kosova është një vend i vogël politikisht dhe administrativisht, por kapaciteti zhvillues, talenti i të rinjve dhe mundësitë që të ofron tregu janë shumë të mëdha, konkurruese me vendet e rajonit. Kështu që, Kosova ka qenë një vendim i vështirë, por mendoj se është vendimi më i zgjuar që kemi bërë për të ardhur këtu dhe për ta zhvilluar aktivitetin tonë edhe në Kosovë”, ka thënë Dervishi për “Top Channel”.
Ai ka thënë se zhvillimi i biznesit varet nga aftësitë zhvillimore. “Sigurisht se ka një lloj të mbështetjes të ‘start up’-ve dhe një lloj lehtësimi nga ana e politikave shtetërore për zhvillimin e biznesit. Pra, unë nuk ndihem i paragjykuar për shkak se jam i Shqipërisë dhe vij ta bëj një biznes në Kosovë. Përndryshe, gjithçka varet nga aftësitë tona për ta zhvilluar biznesin. Ky është faktori kryesor”, është shprehur Dervishi.
Ndërsa politika fiskale e shtetit, që TVSh-ja të mos paguhet për investimet nën 30 mijë euro, kishte qenë një shtytje e madhe për të. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti 16.4 milionë euro janë investimet nga Shqipëria, duke shënuar rritje për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 14 milionë eurosh. Investimet janë rritur edhe në periudhën njëvjeçare të 2018-s, në 23 milionë euro për dallim nga viti 2017 që ishin 2.4 milionë. E viti i artë i investimeve ka qenë 2015-ta, me plot 40 milionë euro.