I rrëmbyer kur ishte vetëm 2 vjeç, ribashkohet me familjen pas 30 vjetësh (Foto)
Një burrë i cili ishte rrëmbyer kur ishte fëmijë 32 vite më parë, më në fund u bashkua me prindërit biologjikë, falë ndihmës së teknologjisë së njohjes së fytyrës.
Mao Yin ishte ndarë nga familja e tij në vitin 1988, kur ishte vetëm 2 vjeç, ndërsa po qëndronte jashtë një hiteli në qytetin kinez Xi’an, në provincën Shaanxi. Më pas ai ishte shitur te një çift që nuk mund të kishte fëmijë, në provincën fqinje Sichuan, sipas raportimit të medias shtetërore kineze CCTV.
Autoritetet thanë se rrëmbimi ishte ende nën hetim dhe nuk publikuan informacione të mëtejshme rreth prindërve birësues të Maos. Gjatë gjithë jetës ai kishte jetuar me ta, pa e ditur se prindërit biologjikë po e kërkonin për më shumë se 3 dekada.
Në fund të prillit të këtij viti, policia në Xi’an mori informacion për një burrë që kishte marrë një fëmijë në provincën Shaanxi në fund të viteve 1980. Policia përdori teknologjinë e njohjes së fytyrës për të analizuar një fotografi të Maos kur ishte fëmijë dhe arriti të ndërtonte një portret të tij si i rritur, të cilin më pas e krahasoi me fotografi të ndryshme në sistemin kombëtar të të dhënave, sipas CCTV.
Pasi gjetën kandidatin e përafërt, testi i ADN-së konfirmoi se Mao ishte pikërisht fëmija i grabitur 32 vite më parë. Të hënën, 34-vjeçari u bashkua me prindërit biologjikë. I gjithë takimi, tepër emocionues, u transmetua drejtpërdrejtë nga CCTV.
Pas zhdukjes së Maos, mamaja e tij, Li, la punën dhe ia kushtoi jetën gjetjes së të birit. Ajo mësohet se ka shpërndarë më shumë se 100 mijë fletëpalosje dhe përgjatë viteve ka treguar historinë e saj në disa programe televizive në Kinë. Ajo u kthye gjithashtu në një vullnetare, duke ndihmuar familje të tjera të gjenin fëmijët e rrëmbyer, ku deri tani ka ndihmuar në gjetjen e 29 prej tyre.
Rrëmbimi i fëmijëve mbetet një problem madhor në Kinë, edhe pse nuk ka shfira zyrtare për numrin e përvitshëm. Në një platformë online, “Baby Come Home”, e përdorur gjerësisht nga prindërit kinezë për të gjetur fëmijët e humbur, janë regjistruar më shumë se 51 mijë familje në kërkim të fëmijëve të tyre.
Sipas Xinhua, policia ka gjetur dhe ribashkuar me familjet më shumë se 6300 fëmijë, që kur Ministria e Sigurisë Publike ngriti bazën kombëtare të të dhënave të ADN-së në vitin 2009, për të krahasuar prindërit me fëmijët.A2