I RRITUR NË SOS FSHATIN, SOT KANDIDAT PËR DEPUTET
“Nuk mund ta përshkruaj dot se si është jeta pa ngjyra e një fëmije i cili rritet pa kujdesin prindëror”, shprehet Alfred Muharremi, kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën.
Muharremi shprehet se ai i është bashkuar kësaj force politike pasi të Partia Socialiste ka gjetur angazhimin dhe vullnetin për të çuar përpara ëndrrën që ata kanë, ëndrrën që të kenë mundësi të krijojnë familjet e tyre të munguara.
Në moshën 5-vjeçare, e nis rrëfimin Muharremi, erdha në familjen e madhe SOS.
“Ishte një familje, e cila më dha shumë dashuri. Arrita të përfundoj studimet e mia në mënyrë të shkëlqyer në fushën e ekonomisë dhe prej disa vitesh ushtroj profesionin tim si bankier pranë bankave të nivelit të dytë. Pasi unë dola nga fshati SOS mendova t’i rikthehem kësaj familjeje për t’i shërbyer. Por jo vetëm kësaj familje, por të gjithë fëmijëve dhe të rinjve pa kujdes prindëror, duke drejtuar lëvizjen e advokimit të të drejtave të fëmijëve e të rinjve pa kujdes prindëror, vetëm me një synim, integrimin e kategorive pa kujdes prindëror në Shqipëri”, deklaron Muharremi.
Ne, shprehet ai, jemi në luftë të përditshme për të kërkuar të drejtat tona, të cilat nuk i kemi ende.
“Arsyeja pse unë bashkohem me Partinë Socialiste të Shqipërisë është fakti se në këtë force politike shikoj angazhimin e vullnetin për të çuar përpara ëndrrën që ne kemi, ëndrrën që ne të kemi mundësi të krijojmë familjet tona të munguara”, deklaron kandidati i PS-së për zgjedhjet e 25 prillit në Tiranë./RTSH