‘I thashë Clinton, po nëse Rusia do kërkonte të hynte në NATO a do ta pranonit’? Putin flet edhe për bombardimet në Beograd
Presidenti rus Vladimir Putin për herë të parë ka dhënë një intervistë për një gazetar perëndimor që nga nisja e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022.
Ndër temat e prekura në intervistë më shumë për luftën me Ukrainën, Putin përmendi edhe çështjen e ish-Jugosllavisë dhe bombardimin e Beogradit në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë. Udhëheqësi rus tha se vendi i tij gjithmonë ka kërkuar të rregullojë raportet me SHBA-në, madje përmendi edhe vizitën e presidentit të atëhershëm rus, Boris Yeltsin i cili në Kongres kishte thënë “Zoti e bekoftë Amerikën”.
“I mbani mend zhvillimet në Jugosllavi, unë e kuptoj se kishte procese komplekse që po ndodhnin atje, por çfarë bëri SHBA-ja? Bombardoi Beogradin në vitin 1999”, deklaroi Putin.
Presidenti rus gjithashtu potencoi se për të normalizuar marrëdhëniet me SHBA-në i kishte propozuar ish-presidentit amerikan Bill Klinton anëtarësimin e Rusisë në NATO, gjatë vizitës së Klintonit në Rusi.
“I kam thënë presidentit Klinton kur ishte në Moskë nëse Rusia do të kërkonte të hynte në NATO a do ta pranonit”, deklaroi presidenti rus.
“Klinton më tha, ‘nuk e di, ndoshta’, pastaj folëm përsëri në mbrëmje dhe më tha ‘kam biseduar me ekipin tim dhe përgjigjja është jo’”, deklaroi mes tjerash Putin.