
I vazhdohet mandati në Hagë gjyqtarit Gilbert Bitti
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova ia ka vazhduar edhe për një vit detyrën gjyqtarit Gilbert Bitti, si gjyqtar i vetëm për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit ndaj Salih Mustafës për zhdëmtimin e viktimave.
Vendimi është marrë më 18 shkurt 2025, me të cilin parashihet se ngjashëm si vitin e kaluar, detyra e gjyqtarit Bitti do të zgjasë për një vit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Kurse, Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.
Më pas, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 14 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.Të ngjajshme
Ndërsa, më 29 korrik 2024, Supremja e miratoi pjesërisht kërkesën e Mustafës dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të Apelit lidhur me dënimin prej 22 vitesh burgim, duke kërkuar një dënim të ri për të pandehurin. Në shtator 2024, Apeli në rivendosje e dënoi Mustafën me 15 vite burgim.
Kujtojmë se më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Kur u vendos në Apel për këtë rast, nuk u shqyrtua fare urdhri për zhdëmtim, pasi sipas trupit gjykues, pala nuk e kishte apeluar atë.
Më 27 shtator 2024, Mustafa ka paraqitur kërkesë në Kushtetuesen e Speciales lidhur me të drejtat e tij si individit për të cilat mendon se janë shkelur.
Aktualisht, rasti i Shalës është sërish në Supreme pasi ai ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të Apelit, i cili e dënoi me 15 vjet burgim.
Kronologjinë e rastit ndaj Salih Mustafës, mund ta lexoni KËTU. Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.