I vazhdohet pezullimi nga puna në UP profesorit Xhevat Krasniqi
“Është sjellë një vendim i ri sot prej meje, personi në fjalë [Xhevat Krasniqi] qëndron i suspenduar deri në raportin e organeve profesionale. Del fajtor – fluturon prej Universitetit, nuk del fajtor – kthehet në punë edhe njeken akuzueset e rrejshme, ky është qëndrimi im parimor” – ka shtuar Hajrullahu më 23.10.2024
Sipas rektorit Hajrullahu, Administrata e UP-së është interesuar dhe ka shkuar në organet e hetuesisë se a kanë përfunduar hetimet e tyre për rastin ndaj profesorit Krasniqi.
“Unë nuk e paragjykoj rastin edhe ia kanë konfirmuar hetuesia që ende jemi t’u i intervistu, nuk kemi raport. Derisa nuk ndryshon gjendja faktike, as profesori në fjalë, askush nuk mundet m’u kthy tash me thanë veç kaluan gjashtë muaj edhe eja ti kthehu në mësim. Kur të ndryshon gjendja faktike, te kemi raportin profesional për rastin në fjalë, atëherë na vendosim” – ka thënë rektori Hajrullahu.
KALLXO.com e ka kontaktuar profesorin Krasniqi përmes telefonit më 23.10.2024, por ai nuk ka pranuar të deklarohet.
Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi ka pohuar se janë në dijeni rreth afatit të vendimit të pezullimit të Krasniqit.
“Ju informoj se kemi qenë në dijeni që vendimi për suspendimin e prof Xhevat Krasniqi skadon sot dhe me kohë kemi qenë në komunikim me zyrën e rektorit për këtë çështje. Rektori sot ka marrë një vendim të ri që vazhdon suspendimin e profesorit Krasniqi deri në përfundimin e procedurave të ndjekjes penale për rastin” – është përgjigjur Saqipi, më 23.10.2024.
Saqipi ka treguar se Fakulteti i Edukimit i ka kryer obligimet e veta duke siguruar mbulimin e mësimit nga profesorë të tjerë dhe duke organizuar vlerësimin e studentëve nga profesorë e komisione përkatëse, pas vendimit për pezullimin e Krasniqit më 23.04.2024.
“Ndërsa, për semestrin aktual nuk kemi planifikuar ndonjë angazhim për të meqë kemi qenë në pritje të një vendimi të ri të rektorit për rastin” – ka shtuar Saqipi.
Profesori Krasniqi nga muaji qershor i këtij viti është i dyshuar për ngacmim seksual, në bazë të fillimit të hetimeve nga Prokuroria e Prishtinës, kur pranoi kallëzim penal ndaj tij.
Para se të merrej Prokuroria me të, Krasniqi u pezullua nga puna në UP përmes një vendimi të ish-rektorit të UP-së, Qerim Qerimi, më 23.04.2024.