I veshur me uniformën e policisë i mashtronte qytetarët
Një 43-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, gjatë një aksioni të mirorganizuar nga inspektorët e Komisariatit të Policisë Kuçovë. Bëhet fjalë për shtetasin Ismet Hada, i cili është prangosur në flagrancë, i veshur me uniformën e policisë, me të cilën kishte bërë “kërdinë” në qytetin e Kuçovës dhe në fshat.
Duke u prezantuar si punonjës policie, 43-vjeçari Hada ka mashtruar shumë persona në qytetin e Kuçovës dhe fshatin Lapardha dhe u ka premtuar atyre shërbime kundrejt shpërblimit.
Pas kryerjes së veprimeve proceduriale nga ana e Komisariatit të Policisë Kuçovë, materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.
43-vjeçari Ismet Hada, nga fshati Mbrakull, akuzohet për veprat penale “Vjedhje me anë të mashtrimit” dhe “Përvetësim i titullit të punonjësit të policisë”, vepra penale të parashikuara nga Nenet 143/2 dhe 246 te Kodit Penal.