I vidhen 10 dyer kompanisë që po rinovon Klinikën e vjetër të Pediatrisë në QKUK
Kompanisë punëkryese për rinovimin e Klinikës së Pediatrisë në QKUK, i janë vjedhur 10 dyer. Kjo klinikë nuk ka informacione për rastin, e kompania ia ka lënë policisë në dorë këtë çështje.
Objekti i vjetër i Klinikës së Pediatrisë është i rrethuar me skele, shkaku i rinovimit.
Punimet që janë duke u kryer, lidhen me vendosjen e dyerve dhe dritareve të kësaj klinike.
Por, kompanisë punëkryese i doli problem.
Kompania që është duke rinovuar nga jashtë Klinikën e Pediatrisë, ka raportuar vjedhje të disa dyerve, që iu është bërë në vendpunishte.
Për këtë rast, informacione nuk ka Klinika e Pediatrisë. Sikurse as polica nuk ka dhënë më shumë detaje, përveç asaj që është thënë në raportin 24 orësh.
”Ankuesja femër kosovare ka raportuar se nga person/a të dyshuar të pa njohur janë vjedhur 10 copë dyer të ballkoneve. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Televizioni ka kontaktuar me përfaqësues të kësaj kompanie, por nuk kanë pranuar të flasin, pasi kanë thënë se e kanë njoftuar policinë.