I vihet zjarri një shtëpie të ndërtuar nga Qeveria në veri
Një shtëpie në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicën e Veriut, zonë e banuar me shumicë serbe i është vënë zjarri në orët e para të së martës, bëri të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Rreth orës 00:30 gjatë mesnatës një patrullë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në lagjen Bergjani në Mitrovicën Veriore. Zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar. Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar veç dëmeve materiale. Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja. Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre. Kërcënimet, shantazhet, pamfletat terroriste, nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qëndrueshëm. Ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiqi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.