I vodhi 45 mijë euro në shtëpinë e vet, në polici tha se i ka shpenzuar për ‘punë të veta’
Një rast i rëndë ka ndodhur në një familje në Prizren, ku një person ka vjedhur në shtëpinë e vet.
I dyshuar 28-vjeçar, raportohet se vodhi hiç më pak se 45 mijë euro nga babai i tij, të cilat i bëri ‘rrush e kumbulla’.
Rasti u denoncua nga pronari i shtëpisë dhe si rezultat, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, u zbulua se hajni që kreu vjedhjen është anëtar i familjes.
Policia e arrestoi dhe shoqëroi në stacion policor të dyshuarin, ku i njëjti është intervistuar lidhur me rastin.
Burimet e Sinjalit thonë se ndër të tjera i dyshuari ka deklaruar se paratë që i mori në shtëpi i ka shpenzuar për ‘punë të veta’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti ndaj tij të iniciohet si “Vjedhje e rëndë” dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor.