
IA-ja dhe muzika, a duhet t’i ngjallim këngëtarët e vdekur?
Nga: Arwa Haider / BBC
“Mendoj se me të vërtetë jemi në prag të një gjëje emocionuese dhe të tmerrshme … është formë e jetës jashtëtokësore”. Kur [David] Bowie shprehu këto mendime në një intervistë të vitit 1999, e përshëndeti agimin e ri krijues – ose kataklizmën e mundshme – të epokës digjitale. Fjalët e tij duken edhe më interesante disa vjet pas vdekjes së tij (ylli u largua nga kjo botë në vitin 2016). Industria e muzikës mbetet në një gjendje fluksi dhe teknologjia vazhdon të lidh sferat – dhe ndoshta edhe të ngjall zërat e këngëtarëve prej kohësh të vdekur.
Muzika e AI-së [inteligjenca artificiale] shpeshherë nënkupton debatet rreth tingujve të rremë të zërit [deepfake], të krijuar në mënyrë digjitale qoftë duke i imituar stilet e yjeve bashkëkohorë (për shembull, kënga e fundit e AI-së “artistit të rrejshëm Drake ” – The Weeknd Heart on my Sleeve – u ngarkua nga përdoruesi i TikTok-ut, ghostwriter977) ose legjendat e vdekura – duke përfshirë një mori “këngësh të reja” të AI-së së Bowiet, versione dhe duete imagjinare (të tilla si Life on Mars me një Freddie Mercury digjital). Në të njëjtën kohë, muzika e AI-së lidhet me teknologjinë më të avancuar që përdoret për të rregulluar regjistrimet e bëra në të vërtetë nga një këngëtar gjatë jetës – siç është “incizimi përfundimtar” i shpallur së fundmi për Beatles: ende pa titull, por që mendohet të jetë kompozim i vitit 1978 i John Lennonit i quajtur Now and Then.
Ky nuk është incizimi i vetëm “i ri” i Katërshes Fantastike, pas ndarjes së anëtarëve origjinalë ose vdekjes së Lennonit më 1980; Free as a Bird (me vokalin kryesor të çuditshëm të Lennonit) u bë hit ndërkombëtar në 1995 – por, aftësitë e teknologjisë janë rritur që atëherë, ndërsa seria e arkivave të dokumentarit Get Back (2021), me regji nga Peter Jackson, rezultoi si e gjë thelbësore. McCartney, në një intervistë të fundit në Radio 4, shpjegoi se zëri i John Lennonit ishte nxjerrë nga “një pjesë e kasetës”, duke përdorur teknologji të trajnuar për të zbuluar zërat individualë dhe për t’i veçuar ata nga audioja përreth.
“E kishim zërin e Johnit dhe një piano dhe ai [Jackson] mund t’i ndante me AI”, tha McCartney. “Ata i thonë makinës: ‘Ky është zëri. Kjo është kitara. Hiqe kitarën’. Kështu që, kur arritëm ta bënim atë që do të jetë incizimi i fundit i Beatles, ishte një demo me Johnin dhe ne ishim në gjendje ta marrim zërin e Johnit dhe ta bënim të pastër përmes kësaj AI-je”.
Teksa softueri i mësimit të makinerive po evoluon me shpejtësi, ka motive të thella për t’u shprehur pas vdekjes. Si adhurues të muzikës, zakonisht jemi të ngazëllyer kur dëgjojmë ndonjë gjë për këngëtarët tanë të preferuar; nëse nuk janë më me ne, kjo e shton dëshirën. Ka ndikim emocional fakti që Lennoni “ribashkohet” me McCartneyn (si në “duetin e tyre virtual” në Glastonbury vitin e kaluar), ose kur materializohen hologramet (Tupac, Maria Callas, Ronnie James Dio) në skenë, qoftë me defekte të dukshme. Natyrisht, korporatat tregtare janë gjithashtu të prira për të pasur sa më shumë të ardhura nga trashëgimitë e artistëve, ndërsa publikimet pas vdekjes mund të jenë biznes fitimprurës; Ikona e rokut alternativ, Kurt Cobain, ishte vetëm 27 vjeç e kur vrau veten më 1994, por vazhdon të gjenerojë miliona përmes publikimeve me cilësi të ndryshueshme.