Ia mori 1 200 euro për vizë gjermane, pastaj u zhduk nga faqja e dheut
Kushtet e rënda të jetesës, por edhe dëshira për t’u larguar nga Kosova, bëjnë që shumë qytetarë të Kosovës të bien pre e mashtrimeve nga njerëz që u premtojnë se do t’ua sigurojnë vizën për në vendet perëndimore. Një rast i tillë i ka ndodhur edhe një qytetari të Prishtinës. Sokol. M në muajin qershor të këtij viti kishte rënë pre e mashtrimit të Salih. K.
Viktima ia kishte dhënë të dyshuarit, i cili dje është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, 1 200 euro para të gatshme. I dyshuari i kishte premtuar viktimës Sokolit se do t’ia rregullonte vizat e punës për në Gjermani, por që nga muaji qershor kur ia kishte marrë paratë më nuk kishte dëgjuar gjë prej tij. “Sipas ankuesit, më datën 2 qershor të këtij viti nga S. K është mashtruar nën pretendimin se i njëjti mund t’u ndihmojë për rregullimin e vizave të punës për në Gjermani, por fillimisht duhet të paguajë shumë prej 300 eurosh. Bazuar në deklaratën e ankuesit, ai më pas i kishte dorëzuarit të dyshuarit shumë prej 1 200 eurosh për vete dhe anëtarët e tjetër të familjes. Por që nga ajo kohë i dyshuari ishte zhdukur dhe nuk ishte lajmëruar më”.
Më 25 është intervistuar i dyshuari dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ky nuk është rasti i parë i mashtrimit të këtij lloji në Kosovë.