IADK-ja mbetet partner strategjik për Mitrovicën edhe në vitin 2018
Mitrovicë, 10 janar- Drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, dhe shefi i Bujqësisë, Jeton Bajrami, kanë pritur të mërkurën në takim drejtorin e Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), Zenel Bunjaku, me të cilin kanë biseduar rreth përkrahjes së fermerëve dhe realizimin e projekteve të përbashkëta për vitin 2018.
Sadiku me këtë rast ka falënderuar IADK-në dhe veçanërisht drejtorin Bunjaku për bashkëpunim të ndërsjellë dhe të frytshëm, falë të cilit në bujqësinë e komunës janë realizuar një varg projektesh të rëndësishme, që kanë ndikuar në shtimin e interesimit të fermerëve për t’u marrë me bujqësi.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku, e ka vlerësuar të suksesshëm bashkëpunimin me komunën e Mitrovicës dhe ka premtuar se IADK-ja do të vazhdojë të mbështesë projekte nga fusha të ndryshme të fermerëve mitrovicas.
Në anën tjetër, shefi i Bujqësisë, Jeton Bajrami, ka thënë së IADK-ja do të vazhdojë të mbetet partner strategjik për komunën e Mitrovicës edhe në vitin 2018, prandaj komuna mirëpret bashkëpunimin me IADK-në, por edhe me të gjithë partnerët dhe donatorët me të cilët ka krijuar një partneritet afatgjatë në zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimit në Mitrovicë.
Gjatë këtij takimi drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku dhe drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku janë dakorduar për përcaktimin e projekteve prioritare në mënyrë që ato të implementohen me sukses gjatë vitit 2018 në Komunën e Mitrovicës, e që janë në interes të qytetarëve dhe fermerëve.