“Ibër Lepenc”-i ka përmbyllur vitin 2023 me suksese të shumta organizative dhe financiare
Kryeshefi Elekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër Lepenc” Sh.A., Faruk Mujka kjo ndërmarrje ka përmbyllur vitin 2023 me suksese të shumta organizative dhe financiare.
Ai përmes një shkrimi në “Facebook” ka theksuar se viti i dytë rradhazi performon me fitim operacional dhe neto ku fitimi operacional tejkalon shumën prej 5 mln euro.
“Prodhimi rekord nga Hidrocentrali i Ujmanit me mbi 144,000 MW, që është rritje prej 100% nga prodhimi mesatar vjetor dhe më i larti në historinë e saj. Furnizimi pa ndërprerje me ujë të papërpunuar për mbi 500.000 banorë në Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, Zveçan, Zubin Potok, Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq e Drenas. Furnizim pa ndërprerje me ujë për ftofjen e stabilimenteve në KEK dhe Ferronikel. Gjithsejt mbi 60 milionë m3”, ka shkruar ai.
Sipas Mujkës, është siguruar ujitja e tokave bujqësore për mbi 1500 ha, duke ndikuar në rritjen e cilësisë dhe sasisë së rendimenteve përgjatë kanalit tonë.
“Punimet intensive në realizimin e projektit të “Ruajtjes dhe rehabilitimit të kanalit kryesorë” në vlerë prej 13 mln €. Shtrirja e fijes optike deri te liqeni i Ujmanit dhe përfundimi i projektit të SCADA, përgjatë kanalit kryesorë. Vitin e ardhshëm do ta kemi edhe më intensiv dhe produktiv me projekte të ndryshme ku kryesoret do të jenë: • Hyrja në bursën e përbashkët energjetike të Kosovës e Shqipërisë “ALPEX” • Studimi i fizibilitetit dhe fillimi i implementimit të projektit të instalimit të paneleve solare mbi kanalin e Ibër – Lepencit”, ka shkruar ai.
Mujka ka theksuar se këto arritje tregojnë përkushtimin dhe suksesin e NPH “Ibër Lepenc” Sh.A. në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve të ofruara, duke synuar efikasitetin dhe sigurinë e operacioneve.