Ibishi: Kërcënimi ndaj Kurtit të merret seriozisht

04 nëntor 2021 | 08:25

Kërcënimet ndaj liderëve institucionalë duhet të trajtohen më shumë seriozitet. Kështu ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Teksa ka folur për kërcënimin ndaj shefit të Qeverisë, Ibishi ka theksuar se trajtimi i kësaj problematike duhet të vazhdojë deri në zbulimin e burimit, duke theksuar se ky është obligim i sektorit të sigurisë.

“Çdo kërcënim do të merret si serioz nga institucionet e sektorit të sigurisë dhe të zbatohen procedurat pa marrë parasysh deklaratat e personit ndaj të cilëve adresohet kërcënimi. Në këtë rast, kryeministrit Kurtit, i cili tha se nuk është ndier i rrezikuar nga një kërcënim i tillë dhe ka vazhduar agjendën. Mirëpo sektori i sigurisë duhet të ndërmerr veprimet e duhura”, ka thënë Ibishi për ‘Ekonomia Online”.

Ai thotë se në kuadër të policës funksionon njësiti i veçantë që merret me vlerësimin e kërcënimit, i cili rekomandon nëse duhet ose jo të ndërmerren masa në aspektin e ngritjes së sigurisë personale të atij që është kërcënuar. Pra është njësit i veçantë në Policinë e Kosovës që merret me vlerësimin e kërcënimit, dhe mandej ndërmerren masat edhe në aspektin e ngritjes së shkallës së sigurisë personale, qoftë në vend apo në lëvizje me qëllim që të mos të vihet deri të realizimi i kërcënimit”, ka deklaruar ai.

Ibishi ka theksuar se institucionet e sigurisë duhet të merren me rastet e tilla.

“Në rrjetet sociale ka kërcënime të ndryshme dhe vështirë që dikush t’i përcjellë ato. Vetë adresimi sikurse që ka ndodhur në këtë rast është zbuluar nga sektori i sigurisë dhe ata menjëherë kanë reaguar duke ngritur shkallën e sigurisë”.

Më këtë rast, Ibishi ka folur edhe për zgjedhjet lokale, duke shtuar se Prishtina ka pësuar degradime këto dy mandate sa ishte qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Madje, ai tha se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama ka një program të mirëfillt evropian ndryshe nga kundërkandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Arben Vitia, i cili e kopjon.

Javën e kaluar kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte kërcënuar nga persona të panjohur në rrjetet sociale.

Policia e ka ftuar si të dyshuar Kujtim Kurtin, një mërgimtar nga Gjermania.

Kujtim Kurti është ftuar të paraqitet në stacionin e Prizrenit për t’u intervistuar si i dyshuar për postimin e tij që e kishte bërë të dielën e 31 tetorit, ani pse në fletëthirrjen e policisë cilësohet si incident.

Ai në një postimit në rrjetin social “Facebook” kishte shkruar “100 mi kush vret Albin Kurtin”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Beograd, këtë të enjte do të zhvillohet takimi i…