Ibra: Donnarumma mund të bëhej si Maldini
Gjiganti suedez Zlatan Ibrahimoviq, i cili humbi Evropianin për arsye dëmtimi, mirëpret kthimin e Jose Mourinhos në Serinë A, pas 11 vjetësh, ndërsa nuk i kursen thumbat për Allegrin, me të cilin ka punuar te Milani.
“Mourinho mori drejtimin e një klubi që nuk është favorit për titullin. Ai nuk ishte mësuar me këtë, por pikërisht për këtë arsye do të jetë mirë. Pastaj ai është një personazh tërheqës, gjithçka që thotë bën xhiron e botës. Allegri? Kur e kisha trajner, ishte në fillimet e tij, pastaj u bë fitues. Ndoshta do të kishte qenë më mirë të kishte një përvojë jashtë, por jo të gjithë janë si Zlatani që merr valixhen dhe shkon në kopshtin e të tjerëve. Secili është gatuar në mënyrën e vet”, ka thënë Ibrahimoviq.
Ibra e sheh pozitivisht afrimin e Giroudit, i cili, me sa duket, është i destinuar të jetë alternativë e suedezit pas largimit të Mandzukiqit. “Sa më shumë lojtarë të nivelit të lartë të mund të afrojmë, aq më mirë. Giroud ka përvojë të shkëlqyeshme dhe nuk kemi shumë lojtarë që kanë fituar trofe. Nëse ai vjen, është i mirëpritur. Unë egoist? Më pëlqen, ka shumë mbretër, por vetëm një Zot dhe jam unë. Por, pa shokët e mi të skuadrës nuk shkoj askund dhe e di këtë. Futbolli më bëri të takohem me njerëz, të bëj udhëtime, të përjetoj kultura të ndryshme. Ai më dha jetën që kam. Çfarë i dhashë unë? Sulmuesin më të plotë në botë”, ka shtuar Ibra. Në intervistën dhënë për “La Gazzetta dello Sport”, sulmuesi suedez komentoi edhe largimin e Gigio Donnarummas.
“Më vjen keq. Shumë. Ju më pyetët nëse lojtarët fitojnë shumë, tani unë bëj një pyetje: çfarë vlere ka Donnarumma? Ai u rrit në Milano, mund të ishte portieri i ekipit për 20 vjet. Ndoshta 20 vjet jo, sepse ai nuk është Ibra. Sidoqoftë, ai është portieri më i fortë në botë. Mund të ishte bërë ‘Mister Milan’ si Paolo Maldini. Sa mund t’i ofronte Maldini? Nuk ka asnjë masë. Tregu e bën vlerën. Është si në bursë. Nëse Gigio largohet apo jo, nuk e di. Duhen dy për tango. Unë do t’i thosha të qëndronte te Milani deri në fund”, ka përfunduar Ibrahimoviqi.