Ibra e mbyllë në mënyrë jo të duhur aventurën në ShBA
Mbyllet në mënyrën më të keqe të mundshme aventura e Zlatan Ibrahimoviqit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Los Angeles Galaxy humbi derbin ndaj Los Angeles FC me shifrat 5-3 duke u eliminuar nga faza “play-off” në gjysmëfinalet e konferencës së Perëndimit. I pavlerë goli i barazimit 2-2 i shënuar nga Zlatan pas një gafe të portierit kundërshtar Miller.
Në fund nervozizmi ishte shumë i madh aq sa Ibra bëri një gjest të shëmtuar duke prekur me dorë organet gjenitale si kundërpërgjigje për një tifoz. Lamtumirë më të keqe nga Major League Soccer nuk mund të kishte për bomberin suedez i cili tashmë në moshën 38-vjeçare është një lojtar i lirë në merkato dhe mund të firmosë me skuadrën që dëshiron. Në Itali e presin krahëhapur Napoli e Bologna ndërsa edhe te Interi e kanë në konsideratë gjigantin e sulmit. Aventura e Ibrës përtej oqeanit, zgjati 2 sezone, me Zlatanin që pavarësisht se arriti të shënonte plot 53 gola në 58 paraqitje nuk arriti të fitonte asnjë trofe me Los Angeles Galaxy.