Ibra: Nuk e di pse nuk e fitova kurrë ‘Topin e Artë’
“Jemi të zhgënjyer dhe na vjen shumë keq, por do të luftojmë për ta fituar titullin e Serisë A. Ne nuk dorëzohemi. Do të bëjmë gjithçka për të pasur sukses”. Kështu e nis intervistën e gjatë Zlatan Ibrahimoviqi për “Radio Deejay”. Aty shfrytëzoi rastin ta nënvizonte edhe marrëdhënien e tij të madhe me Italinë: “Është vendi që më bëri ky që jam sot. Gjithçka filloi në Itali. Holanda ka një shkollë të madhe talentesh, por unë kam kaluar shumë vite këtu dhe kjo është shtëpia ime e dytë. Ndiej shumë mirënjohje për Italinë”.
Me karakterin që ka, e pranon hapur rolin e liderit të Milanit brenda dhe jashtë fushës: “Jam shumë i përqendruar dhe e di se çfarë duhet të bëj. Kam përgjegjësi ndaj shokëve të mi, ata më shikojnë, sepse flas në fushë dhe në dhomat e zhveshjes. Ata ndihen të mbrojtur, por duhet të marrin edhe përgjegjësitë e tyre”. Gjiganti suedez i rikthehet sërish asaj që ka zbuluar në librin e tij të fundit “Adrenalina”, se ishte fare pranë kalimit te Napoli. “Isha në Amerikë, por Raiola më thoshte të kthehesha për të luajtur në Evropë. Mbaj mend që pashë një dokumentar për Maradonën dhe tifozët e Napolit ishin të pabesueshëm. Unë fola me De Laurentiis dhe ditën kur duhej të nënshkruaja, ai largoi Ancelottin. Gjithçka u krye, Ancelotti më bindi, fola shumë me të, por kur ai u largua u ndjeva më pak i sigurt. Në atë moment mbërriti Milani dhe gjërat shkuan mirë”, ka shtuar sulmuesi suedez. Një moment dramatik për të ishte dëmtimi i rëndë që pësoi te Manchester Unitedi: “E theva gjurin tim në moshën 35-vjeçare, të gjithë menduan se kisha mbaruar. Gjithçka është çështje mentaliteti, kur më thonë gjëra të caktuara është sikur i hedhin benzinë zjarrit. I vendosa vetes synime pa e ditur se si do të shkonte”. Ai sakrifikon duke luajtur në Itali, sepse e ka larg familjen: “Është e vështirë, shumë e vështirë. Plani ishte të shkoja te Napoli për katër muaj, të fitoja titullin dhe më pas të kthehesha në Suedi. Pastaj erdhi Milani, gjërat shkuan mirë dhe vendosa të rinovoj, pa i thënë asgjë gruas sime. Ndoqa pasionin. Sa herë që afrohet tërheqja, unë e zgjas karrierën”.
Ibra është një nga lojtarët më të fortë të gjeneratës së tij, por nuk e ka fituar kurrë “Topin e Artë”: “Nuk e di pse nuk e fitova, nuk fitova as Ligën e Kampionëve dhe
thonë se nuk do ta fitoj kurrë. Kjo nuk e ndryshon aspak karrierën time, aq cilësitë
që kam si futbollist. Kam luajtur në ekipe të mëdha, me lojtarë të mëdhenj, kam mësuar disa gjuhë dhe kam fituar diçka…”.