Ibra nuk kthehet te Milani
Zlatan Ibrahimoviqi shuan në njëfarë mënyre shpresat e tifozëve të Milanit për ta parë me fanellën kuqezi në janar.
Sulmuesi suedez në një prononcim të fundit theksoi se është optimist sa i përket rikthimit te Los Angeles Galaxy sezonin e ardhshëm. Skuadra kaliforniane dështoi të kualifikohej në fazën “play-off” të MLS në javën e fundit të sezonit të rregullt pasi u mposht 2-3 nga Dynamo Houston, duke nxitur raportimet se gjiganti suedez mund të kthehet në futbollin evropian, pikërisht në Milano me kuqezinjtë, ku ka kaluar një pjesë të karrierës së tij.
Ibra, i cili realizoi 22 gola në 27 ndeshje me kalifornianët në këtë sezon, u shpreh se dëshiron ta respektojë deri në fund kontratën, që i skadon në fund të vitit 2019. “Unë dua të rikthehem, të jem i aftë për të rivalizuar për trofe. Nuk kam ardhur këtu për pushime, por për një sfidë. Dua ta ndiej që kam mundësi të jem më i miri në MLS. Sigurisht e kam fjalën për skuadrën, sepse unë jam më i miri. Dua që skuadra ime të rivalizoj ashtu siç duhet me të tjerët”, ka thënë Ibrahimoviqi.
Drejtuesit e Los Angeles Galaxy dëshirojnë të bëjnë ndryshime të mëdha për sezonin e ardhshëm, ku në qendër të projektit mbetet Zlatan. Presidenti Chris Klein deklaroi: “Ajo që bëri Ibrahimoviq gjatë këtij viti është e dokumentuar, pati impakt të rëndësishëm në skuadrën tonë. Ai dëshiron të fitojë dhe ne duam të fitojmë me të”.