Ibrahimi: Ambasada e ShBA-ve do të merret më seriozisht me krimin dhe korrupsionin në Kosovë  

17 maj 2019 | 11:03

Vendimi i Ambasadës së Amerikës, për të mos u dhënë viza udhëtimi zyrtarëve të korruptuar në Kosovë, është komentuar nga profesori i qeverisjes amerikane, Ilir Ibrahimi.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ky veprim i Ambasadës së ShBA-së tregon se do të fillojë të merret më seriozisht me fenomenet e këqija dhe të marrë masa konkrete.

“Deklarata e fundit e Ambasadës Amerikane tregon se ky vend do të fillojë të merret më seriozisht me fenomenet e këqija dhe të marrë masa konkrete. Por shpresoj shumë që të mos ndalen me kaq dhe shpresoj edhe më shumë që qytetari kosovar të fillojë ta luajë rolin e vet për t’u thënë jo fenomeneve të këqija”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ai ka theksuar se deklaratat kaq të drejtpërdrejta, përveç dënimit të këtij fenomeni, u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës t’i mbajnë përgjegjës politikanët e zhytur në korrupsion dhe ata që nuk e luftojnë atë.

“Korrupsioni tanimë është bërë një shqetësim edhe për përfaqësues të vendeve mike dhe këtë e kemi parë nga deklaratat e ambasadorëve si ai amerikan dhe anglez, por edhe nga ambasadorë të tjerë. Deklaratat kaq të drejtpërdrejta kanë një gjë të përbashkët. Përveç dënimit të këtij fenomeni, ato u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës t’i mbajnë përgjegjës politikanët të cilët ose janë të zhytur në korrupsion, ose me mosluftimin e tij po e mundësojnë atë”, është shprehur Ibrahimi, duke shtuar se nuk është normale që përfaqësuesit e vendeve të huaja të shprehin më tepër shqetësim sesa qytetarët e Kosovës për fenomenet e këqija të shoqërisë.

“Në demokraci qytetari e ka fjalën kryesore dhe ai shprehet përmes votës. Por në raste kur kemi fenomene të këqija, siç është korrupsioni apo nepotizmi, atëherë qytetari duhet ta ngre zërin. Nuk është normale që përfaqësues të vendeve të huaja të shprehin më tepër shqetësim se sa qytetari kosovar për fenomenet e këqija të shoqërisë”, ka theksuar Ibrahimi.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë nëpërmjet një deklarate për media ka bërë me dije se personat që janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit nuk do të mund të marrin viza për të udhëtuar në Amerikë.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë një sistem drejtësie që mban individët përgjegjës për veprimet e tyre korruptuese. Lidhur me këtë, Ambasada e ShBA-së është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos u lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm”, është thënë në komunikatën e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka marr pjesë…