Ibrahimi e fiton rastin edhe në shkallën e dytë, thotë se mospërfillja nga bordi përbën vepër penale
Komisioni i Organit të shkallës së dytë në Inspektoratin e Punës, e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për kthimin në punë të kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi, i cili ishte shkarkuar nga Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës të Drejtorëve të “Trepçës”, të emëruar nga ish-kryeministri Albin Kurti
Mirëpo, Inspektorati i Punës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e bordit të përkohshëm mbikëqyrës të drejtorëve të “Trepçës”.
Këtë e ka konfirmuar Ibrahimi për gazetën “Epoka e re”, i cili ka thënë se pas këtij vendimi e pret dhe miratimin e bordit të përkohshëm për t’u rikthyer më pas në vendin e tij të punës. “Unë si palë jam informuar nga Inspektorati i Punës që e kanë nxjerr vendimin e shkallës së dytë dhe është refuzuar ankesa e Bordit Mbikëqyrës dhe e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë të nxjerr me herët”, ka thënë Ibrahimi.
I pyetur se kur mund t’ia rifillojë punës?, Ibrahimi ka thënë se pret nga Bord Mbikëqyrës që ta respektoj vendimin e inspektoratit dhe në raste se s’do të respektohet ky vendim, atëhere kemi të bëjmë me vepër penale.
“Në parim Bordi i Përkohshëm ish deshtë me zdatu vendimin e inspektoritati dhe t’më njoftojnë për këtë. Në rast se s’do ta zbatojnë as këtë vendim, atëherë kemi të bëjmë me vepër penale”, u shpreh ai.
(A.MAVRAJ/ Epoka e re)