Ibrahimi: E mposhtim Dritën dhe mbesim në Superligë
Arbëria këtë të dielën do ta ketë udhëtimin më të rëndësishëm në historinë e saj.
Skuadra nga Dobraja do të merr rrugë për Gjilan, atje ku do të ndeshet me ish-kampionin e Superligës Dritën, sfidë kjo ku vetëm fitorja vlen për të dyja skuadrat.
Drita, me një fitore do ta siguronte daljen në Evropë, derisa Arbëria me fitore e siguron mbijetesën në Superligë. Se cila do të festojë në fund mbetet të shihet, por e sigurt është se do të kemi një ndeshje të jashtëzakonshme.
Kapiteni i Arbërisë, Labinot Ibrahimi, është i sigurt se skuadra e tij do të ngadhënjejë edhe pse e dinë se do ta jetë shumë vështirë.
“Është një ndeshje shumë e vështirë kundër Dritës, por ne udhëtojmë me synime të qarta vetëm për fitore pasi tani dihet që vetëm tri pikë na mbajnë në Superligë”, ka thënë Ibrahimi për Demokracia.com, duke shtuar:
“Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e dimë mirë se çfarë ekipi ka Drita, por ne nuk shkojmë atje të dorëzuar. Besoj në ekipin dhe besoj se do të marrim rezultatin që duam ne”, ka vlerësuar ish-futbollisti i Prishtinës dhe Partizanit të Tiranës.
Sipas Ibrahimit, skuadra e Arbërisë këtë vit, përveçqë ishte e hendikepuar me stadiumin ku të gjitha ndeshjet u desh t’i zhvillojnë në fushën neutrale pasi stadiumi në Lipjan nuk i plotësonte kriteret, kjo skuadër në shumë ndeshje edhe u dëmtua nga gjyqtarët të cilët edhe e sollën skuadrën në këtë situatë.
“Arbëria u dëmtua shumë në këtë kampionat, pavarësisht vështirësive që kishim pasi nuk luanim në stadiumin tonë ose thënë ndryshe në shtëpinë tonë. Gjithmonë kemi qenë si mysafirë dhe ekipet tjera kishin luksin të luanin në shtëpitë e tyre. Arbëria ka mundur të ketë pikë më shumë por kanë ndikuar shumë faktorë që janë thënë nëpër studio telivizive ku jemi dëmtuar shumë.
Pavarësisht gjithë këto qe i kemi përjetuar unë kam besim te ekipi dhe stafi jonë në krye me presidentin ton Jahir Krasniqi që Arbëria do të jetë në Superligë”, ka përfunduar Labinot Ibrahimi.
Të kujtojmë që ndeshja Arbëria – Drita luhet të dielën nga ora 15:00.