Ibrahimi: Edhe Bideni po e ndjek linjën e njëjtë me Kosovën
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilir Ibrahimi, ka vlerësuar se Kosova është treguar e paditur dhe dashakeqe pasi sipas tij, nuk ka ditur ta shfrytëzojë situatën kur administrata Trump kishte qëllim të qartë për ta zgjidhur çështjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ibrahimi ka kujtuar fushatën kundër të dërguarit të atëhershëm të ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, të cilën ai e ka quajtur edhe fushatë kundër interesave të vendit.
“Sikurse Trumpi e Greneli, edhe Bideni e Blinkeni po e ndjekin linjën e njejtë me Kosovën. Problemi duket se është këtu. ‘Nëse mashtron një herë, turpi qoftë me ty. Nëse më mashtron dy herë, turpi qoftë me mua’, thotë një fjalë”, ka shkruar Ibrahimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë Ibrahimit:
Administrata Trump, kishte një qëllim të qartë për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi. Këtë qartësim e bëri përmes dy letrave dërguar presidentëve në këto dy vende dhe e vulosi me emërimin e një emisari të posaçëm.
Klasa politike kosovare jo vetëm se nuk diti ta shfrytëzoj këtë momentum por ju kundërvu jo vetëm idesë por edhe ideatorëve.
Fushata denigruese që e pamë ndaj ambasadorit Grenell, e cila vazhdon fatkeqësisht edhe sot, është rezultat i një paditurie dhe dashakeqësie. E kam thënë më herët, e përsëris edhe sot se fushata të tilla janë kundër interesave të vendit.
“Kur të vjen Biden, do të rregullohen marrëdhëniet”,thuhej ndërkohë që turma vazhdonte të duartrokas symbyllazi.
E sot kur në Shtëpinë e Bardhë e kemi presidentin Biden, njërin nga përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës shtet, mu nga kjo administratë, Kosova përjashtohet nga forume ndërkombëtare. PSE?
Në vend se të sulmohen zyrtarët amerikanë, duhet ta pyesim veten pse kemi ardhur në këtë derexhe.
Sikurse Trump e Grenell, edhe Biden e Blinken po e ndjekin linjën e njëjtë me Kosovën. Problemi duket se është këtu.
“Nëse mashtron një herë, turpi qoftë me ty. Nëse më mashtron dy herë, turpi qoftë me mua”, thotë një fjalë.