Ibrahimi: Jemi të gjithë ushtarë të Partizanit
Labinot Ibrahimi është një ndër lojtarët më të vjetër të Partizanit. Mbrojtësi ka gjashtë vjet te të kuqtë dhe në asnjë prej tyre nuk ka qenë kaq pranë titullit.
Në intervistën dhënë në fund të takimit për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, 32-vjeçari foli mbi titullin që po afron ndeshje pas ndeshje, kolegët në repartin e mbrojtjes dhe shpjegoi arsyen e festimit unik të skuadrës së tij.
“Po, është e vërtetë se jemi mbrojtja më e mirë. Trashi, Belica, Lumi, Atanda, të gjithë. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, duke marrë edhe fitoren, që ishte qëllimi ynë. Sa i takon Gripshit dhe Bregut, janë dy lojtarë shumë të mirë, por sot ishte dita ime dhe jam shumë i lumtur. Vazhdojmë kështu”, ka thënë Ibrahimi. “Kam gjashtë vjet këtu, që kur presidenti Demi ka marrë drejtimin. Kam shënuar gjashtë gola dhe është një gjë super. Festimi i golit ishte dedikim për Telushin, që është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Jemi të gjithë ushtarët e Partizanit”, ka shtuar ai. Lidhur më titullin e kampionit, Ibrahimi ka deklaruar: “Kemi qenë shumë afër dhe dy vjet më parë, por këtë vit jemi disi më mirë. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë”.