
Ibrahimi kërkon nga qeveria ta ndalojë kolapsimin financiar të komunave
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka kërkuar që qeveria të ndalojë kolapsimin financiar të komunave.
“Qeveri ndalojeni kolapsimin financier të komunave dhe gjakderdhjen financiare. Komunat rrezikohen që të mos zbatojnë projekte kapitale në vitin 2025 dhe mbylljen e xhirollogarive të tyre”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është duke i përkrahur komunat sa i përket zbatimit të kontratës kolektive dhe me këtë rast komunat rrezikojnë që të mos kenë mjete për investime kapitale, që t’iu mbyllen xhirollogaritë bankare dhe që shumë projekte të parapara me buxhetet komunale të mos zbatohen”, ka thënë Ibrahimi për “Klan Kosova”.
Ai ka thënë se në fillim të këtij viti vetëm disa komunave iu kanë shkuar faturat miliona euro borxhe të papaguara.
“Kjo vije si pasojë e neglizhencës së institucioneve qendrore të cilat për disa vite nuk janë duke i marrë parasysh kërkesat e komunave. Që në fillim të këtij viti vetëm disa komunave iu kanë shkuar faturat mbi 35 milionë euro, ku mbi 25 milionë euro janë borxh ndaj përfituesve, ndërsa mbi 10 milionë euro janë tarifat për përmbaruesit e që me një vendim të Qeverisë apo Parlamentit të Republikës së Kosovës kjo gjakderdhja financiare që është mbi 10 milion euro të deritanishme mund të ndalohet”, ka thënë Ibrahimi.