Ibrahimi: Kushtetuesja ka dëshmuar se është kredibile, vendimet i merr pa kalkulime politike
Njohësi i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, ka thënë se shërbimi më i madh që mund t’i bëhet sot shtetit të Kosovës është respektimi i vendimeve të institucioneve të pavarura.
Duke folur rreth zhvillimeve të fundit në raport me Gjykatën Kushtetuese, Ibrahimi ka thënë se kjo gjykatë ka treguar se është kredibile në vendimmarrje.
“Kjo gjykatë e ka dëshmuar deri sot se është kredibile, dhe vendimet i merr pa kalkulime politike. Nga vendimet e saj, në një moment apo tjetër kanë mbetur të pakënaqur secila parti të skenës aktuale politike”, ka shkruar Ibrahimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Ibrahimit:
Secila parti politike, në çdo deklarim publik të vetin, e ka potencuar se gjithë veprimtarinë e vet e ka në shërbim të shtetit.
Shërbimi ma i madh ndaj shtetit sot është respektimi i institucioneve që e mbajnë atë shtet në formën e tij.
Një ndër ato institucione është padyshim Gjykata Kushtetuese.
Kjo gjykatë e ka dëshmuar deri sot se është kredibile, dhe vendimet i merr pa kalkulime politike. Nga vendimet e saj, në një moment apo tjetër kanë mbetur të pakënaqur secila parti të skenës aktuale politike.
Është normale që në çdo kontest gjyqësor të dy palëve, njëra palë do të mbetet e pakënaqur.
Por në asnjë mënyrë, në asnjë formë, nuk duhet që ta rrënojmë bazamentin e shtetit, vetëm se nuk i shkon për shtati një grupacioni.
Sulmet, ende pa pasur një vendim final që po fillojmë ti shohim ndaj Gjykatës Kushtetuese, nuk i bëjnë nder askujt, dhe na dëmtojnë më së shumti shtetin, të cilit po propagandojmë se po i shërbejmë.
(L.G/ Epoka e re)