Ibrahimi: Në ‘Tokio 2020’ arrita rekord personal dhe shtetëror
Pjesëtari i ekipit olimpik të Kosovës Drilon Ibrahimi e ka përfunduar garën e sportit të shenjëtarisë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Ibrahimi arriti që të arkëtoj 608.8 pikë, ku në bazë të tyre u rendit në pozitën e 46-të në kategorinë 20 metra pushkë ajrore.
Pas përfundimit të garës, i pyetur se si ndjehet me rezultatin, Ibrahimi tregoi për KosovaPress tha se është i kënaqur me faktin se këto pikë janë rekord personal i tij dhe rekord shtetëror.
“Me garën jam i kënaqur mesatarisht, përshkak se e kam arritur një rezultat shumë të mirë edhe gjatë ushtrimeve intensive, por prapë se prapë mbetet një rekord personal dhe shtetëror”, tha Ibrahimi.
Shenjëtari kosovar tregoi arsyen që ka ndikuar që mos të arrijë rezultatet të cilat i ka pasur gjatë ushtrimeve intensive, ku edhe tha që gjatë këtyre ditëve rutina e tij ishte vetëm ushtrime dhe gjumë.
“Domethënë, me marrë një rekord në Lojëra Olimpike nuk është edhe pak, për shkak se presioni i garës e bën të vetën edhe ajo është ndoshta edhe arsyeja pse më ka ra pak rezultati me atë të ushtrimeve që e kam pasur në këto ditë, sepse kam pasur disa ushtime intensive. Domethënë që kam bërë veç ushtrime edhe gjumë, gjithçka tjetër e kam lënë anash, vetëm për mu përgatit për Olimpiadë”, tha Ibrahimi.
Të pranishëm për ta ndjekur dhe përkrahur Driloni Ibrahimin ishin edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, drejtuesit e KOK-ut dhe përfaqësuesit nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport dhe Ambasada e Kosovës në Japoni.