Ibrahimi: Për çështje të interesit nacional opozita nuk mund të abstenojë
Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka theksuar se qëndrimi i opozitës por edhe i shumë të tjerëve se kryeministri e gëzon mandatin për vendimmarrje, sepse ka fituar shumicën, në aspektin formalo juridik qëndron.
Por, sipas tij, nëse kemi të bëjmë me çështje të interesit nacional, nuk mund të abstenosh.
“Është e vërtetë, me 14 shkurt partia në pushtet fitoj një shumicë bindëse, si rezultat i një disponimi momental- madje që natën e zgjedhjeve e kam quajtur fitore aksidentale, dhe vazhdoj ta mbaj atë qëndrim. Por kjo fitore nuk ja ka dhënë kësaj partie të drejtën të vendos për fatin e vendit për dekadat e ardhshme”.
“Prandaj, jo vetëm partitë opozitare, por edhe elita intelektuale dhe udhëheqëse e vendit e kanë obligim që të ketë qëndrim dhe të marrë pjesë aktive kur jemi dëshmitarë se në javët e muajt në vazhdim vendoset fati i edhe të disa gjeneratave të ardhshme”, ka shkruar Ibrahimi në “Facebook”.
Ai ka shtuar se shembulli më i mirë është përfaqësimi i Kosovës në Rambuje.
“Rugova si një lider me një votë të fuqishme (edhe pse vota ishte dhënë në rrethana të okupimit), pati mençurinë dhe urtësinë për të ndërtuar konsensus, madje duke e dhënë udhëheqjen e përfaqësimit të një person tjetër”, ka shkruar Ibrahimi.