Ibrahimi: Për Partizanin vij këmbë nga Prishtina

24 shtator 2019 | 15:15

Partizani luan të dielën ndaj Tiranës dhe ky do të jetë derbi i parë i epokës “Demi” pa praninë e Labinot Ibrahimit te të kuqtë. Mbrojtësi kosovar u huazua në fillim të sezonit te Prishtina dhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Labi, ashtu siç e thërrisnin të gjithë, pohoi se e vuan shumë mungesën e derbit.

Ibrahimi tregon sekretin e pathyeshmërisë së Partizanit në këto 6 vite, si dhe jep mesazhin për shokët e ekipit se si të dalin nga ngërçi që i ka kapur. Problemin Labi nuk e shikon te harmonia, por te skema që po përdor trajneri, i cili po u kërkon lojtarëve diçka që nuk bëhet. Ai ka bindje se Partizani fiton sërish, por nëse mundet, faturën e paguan Lerda. Në rrëfimin e tij Ibrahimi tregon momentet më të mira që ka përjetuar në derbi dhe Elis Bakajn e veçon si lojtarin që e ka provokuar më shumë. Largimin nuk po e përtyp dot, pasi thotë se ka qarë kur shokët i dedikuan fitoren e Superkupës dhe nëse e thërrasin, ai pohoi se është i gatshëm që për Partizanin të vijë në këmbë nga Prishtina në Tiranë.

Labinot, si po ju shkon aventura te Prishtina?
Mirë, nuk është keq, pasi kam arritur të adaptohem. Kalova një kohë të gjatë në Tiranë, 6 vite, kështu që pata probleme në fillim. Por, me kalimin e kohës e kalova dhe tani ndihem mirë në Prishtinë.

Sa ju mungon Tirana si qytet dhe Partizani si ekip?
Shumë, pasi u bënë 6 vite në Shqipëri. Sigurisht që e ndiej mungesën e Tiranës, po ashtu edhe të Partizanit, pasi aty isha si në shtëpinë time. Kam kaluar momentet më të bukura aty.

Keni ndonjë ide se pse po vuan Partizani në këtë fillim sezoni?
Nuk e di çfarë të them. Ndoshta ndryshimet e shumta në formacion, si dhe skemat e trajnerit, pasi lojtarët nuk po munden që të përshtaten. Kështu mendoj unë, ndoshta jam edhe gabim, pasi me trajnerin Gega ne kemi luajtur me një sistem tjetër, 4-2-3-1.

Mos ndoshta duhet kthyer te kjo skemë?
Unë mendoj se po, pasi shumica e ekipeve pothuajse me të njëjtin modul luajnë. Ndoshta edhe kjo duhet ndryshuar, por me 3 mbrojtës në Shqipëri nuk ke shanse të luash. Gjithnjë, sipas mendimit tim.

 

Mendoni se ngërçi momental ka të bëjë me skemën e trajnerit apo ka diçka tjetër, pasi flitet se ka humbur harmonia që patët vjet?
Nuk e di, ndoshta edhe harmonia ka ndryshuar, por kam besim te çunat. I njoh të gjithë dhe ua di edhe veset që kanë. Nuk mendoj që është harmonia sesa skema me të cilën lojtarët nuk po përshtaten. Ndoshta trajneri kërkon diçka më shumë, që lojtarët nuk munden.

Si një lojtar me eksperiencë, si kalohet ky moment apo çfarë duhet të bëjë Partizani për të dalë te vetja?
Ky moment kalohet duke qenë të gjithë bashkë, nga presidenti e deri te punëtori i fushës. Duhet një përkrahje nga të gjithë, por kryesorja është përkrahja me njëri-tjetrin në fushë. Të mbështesin shoku-shokun dhe të luajnë me zemër. Besoj se kjo situatë kalon me punë dhe përkushtim. Them se çunat po e bëjnë këtë gjë, janë duke punuar fort, por është një moment që i ndodh çdo skuadre.

ibrahimi

Pakënaqësitë me trajnerin kanë qenë të shpeshta. Nga se vijnë?
Pakënaqësi ka gjithmonë nëpër ekipe, pasi dikush dëshiron të luajë më shumë apo dikush tjetër nuk e përballon ndërrimin. Edhe këto ndikojnë, por i pari është trajneri, se si komunikon me lojtarët dhe sa i motivon ai. Kjo ka rëndësi shumë të madhe, mendoj. Trajneri duhet të punojë edhe në këtë drejtim.

Pas 6 vitesh vjen një derbi pa Labin “dem të kuq”. Ju mungon më shumë juve apo Partizanit i mungoni ju ndaj bardhebluve?
Ufff… derbi? Çfarë të flasësh për derbin! Ai të motivon edhe po të mos duash vetë. Për Zotin, do të më mungojë shumë. Aq shumë më mungon, pasi do të bëja çmos që të isha i pranishëm në atë takim. Ndoshta të dyja palët do ta ndiejmë mungesën e njëri-tjetrit. Gjithsesi, unë kam besim te çunat, të cilët do të dalin me kokën lart nga ky derbi. Dihet se Partizani nuk ka humbur asnjë derbi gjatë këtyre 6 viteve sa isha unë aty. Them se Tirana do të mbetet sërish e kuqe.

Sa i rëndësishëm është ky derbi për Partizanin dhe fatet e kujt mendoni se varen në këtë takim?
Partizanit i duhet për t’u kthyer te lojërat e veta dhe të rrijë në rrugën e duhur për titullin. Unë mendoj që do varet fati i trajnerit, pasi të humbasësh një derbi, për tifozët, presidentin edhe lojtarët do të thotë shumë. Por, Partizani e fiton sërish derbin.

Partizani nuk mundet nga Tirana që nga shkurti i 2014- ës. Si pjesë e kësaj ecurie pozitive, cili ka qenë çelësi i suksesit të “demave”?
Po, është e vërtetë që Partizani nuk mundet nga Tirana nga shkurti i vitit 2014. Çelësi i suksesit? Dihet që derbi të karikon më shumë se çdo ndeshje tjetër, por kryesorja te Partizani ka qenë grupi i lojtarëve. Të gjithë kemi luajtur me shpirt për njëri-tjetrin dhe kjo ka ndikuar te pathyeshmëria e Partizanit në derbi në këto 6 vite.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë i Nismës Socialdemokrate dhe kandidati për deputet…