Ibrahimi: Sondazhet po përdoren për të mobilizuar apo demoralizuar një pjesë të elektoratit
Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka vlerësuar se sondazhet në Kosovë janë duke u përdorur për të mobilizuar apo demoralizuar një pjesë të elektoratit. Sipas tij, sondazhet janë bërë pjesë integrale e fushatave zgjedhore.
“Por shpesh, edhe në Kosovë, rezultatet e sondazheve përdoren për të mobilizuar apo demoralizuar një pjesë të elektoratit. Kjo e tejkalon atë për të cilën do të duhej të shërbenin sondazhet, prandaj është e nevojshme dhe e dobishme që ky fushëveprim të (vet)rregullohet. Ka shembuj të ndryshëm në botë se si mund të bëhet një gjë tillë”, ka shkruar Ibrahimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i tij i Ibrahimit:
Sondazhet tanimë edhe në Kosovë janë bërë pjesë integrale e fushatave zgjedhore. Me matje të opinionit, kandidatët apo subjektet politike mësojnë se cila fushë është me e rëndësishme për opinionin dhe cili mesazh rezonon më mirë te ta.
Por shpesh, edhe në Kosovë, rezultatet e sondazheve përdoren për të mobilizuar apo demoralizuar një pjesë të elektoratit. Kjo e tejkalon atë për të cilën do të duhej të shërbenin sondazhet, prandaj është e nevojshme dhe e dobishme që ky fushëveprim të (vet)rregullohet. Ka shembuj të ndryshëm në botë se si mund të bëhet një gjë tillë.
Përndryshe, si shumë fenomene tjera, edhe kjo fushë e humb kuptimin dhe qëllimin e vet.
Ditëve të fundit kemi parë publikimin e rezultateve të sondazheve nëpër televizione dhe rrjete sociale dhe reagimin më pas të subjekteve politike.
Nga reagimet është vështirë të kuptohet nëse është kjo taktikë apo pjesë e një strategjie më të thellë.
Nëse është taktikë, atëherë do të vazhdojmë të shohim rezultate të komunave në të cilat pak a shumë dihen se kah po shkon trendi.
Nëse është strategji, atëherë pritet që publikimi i sondazhit të madh, ai i kryeqytetit, të na “befasojë” të enjten para mesnate, apo të premten në mëngjes.
“Qofsha i gabuar” por cilido qoftë qëllimi, sondazhet, në këtë formë do ta humbin kuptimin.