Ibrahimi: Vendimi për pranimin e Mitrovicës Veriore në AKK, në duar të Kuvendit Komunal
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka kërkuar anëtarësimin në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, bëri të ditur se kjo kërkesë ka mbetur tanimë në duart e Kuvendit Komunal të Mitrovicës veriore.
“Pas pranimit të kërkesës, po atë ditë ia kemi kthyer përgjigjen kryetarit, Erden Atiq, ku i kemi treguar procedurat për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Vendimi së pari duhet të merret nga Kuvendi komunal i Mitrovicës Veriore. Pra, kjo kërkesë mbetet në duart e Kuvendit komunal të Mitrovicës veriore”, deklaroi Atiq në emisionin “Ditari”.
Derisa më tej, Ibrahimi tregoi edhe procedurat për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
“Procedurat janë te Komuna e Mitrovicës veriore, ata duhet ta mbledhin Kuvendin Komunal, ta bëjnë kërkesën, ta zyrtarizojnë, duhet ta dërgojnë vendimin në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, duhet të shqyrtohet ligjshmëria e atij vendimi se a është në suaza të kornizës ligjore të Republikës së Kosovës, pra këto janë procedurat”, theksoi tutje Ibrahimi në Tëvë1.
I pyetur se a ka pasur kërkesa të tilla për tu bërë pjesë e Asociacionit, nga komuna e Zveçanit, Leposaviqit dhe asaj të Zubin Potokut, Ibrahimi bëri të ditur se deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë nga këto komuna.
Njëherit, Ibrahimi njoftoi se sot kanë mbajtur mbledhje të Kuvendit Komunal, me ç’rast theksoi se gjatë takimit janë ngritur shqetësime nga kryetarët e komunave, e që ka të bëjë me çështjen e bashkëpunimit me nivelin qendror.
“Roli i Asociacionit është i pamohueshëm, është shumë efektiv”, shtoi tutje ai.
Kujtojmë se përmes një kërkese zyrtare, Atiq ka kërkuar nga kryetari i Asociacionit, që komuna të cilën ai e udhëheqë të bëhet pjesë e bashkësisë që përfshinë të gjitha komunat e Kosovës.