Ibrahimovic: E këshillova Mbappen të shkojë në Real, por pastaj i thashë shefit të PSG-së të mos e shiste
Zlatan Ibrahimovic e ka pranuar se e kishte këshilluar Kylian Mbappen të largohej nga Paris Saint-Germaini (PSG) dhe t’i bashkohej Real Madridit.
Për Mbappen është përfolur shumë se mund t’i bashkohet Real Madridit dhe Ibrahimovic beson se 22-vjeçari mund të shkëlqejë në një mjedis si Santiago Bernabeu.
Real Madridit i bëri tri oferta luksoze për Mbappen gjatë verës së kaluar, por PSG-ja ia hodhi poshtë ato.
Madridi pritet të kthehet për Mbappen në janar, apo më së largu verën e ardhshme kur marrëveshja e francezit me PSG-në mbaron dhe ai bëhet lojtar i lirë.
“Është e vërtetë që e këshillova atë të largohet nga klubi”, ka thënë Ibrahimovic i pyetur nga e përditshmja italiane “Correire della Sera” nëse i ka thënë Mbappes të largohet.
Ibra, i cili i ka bërë 180 paraqitje për PSG-në, ka zbuluar se më vonë i kishte thënë presidentit të PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, se do të ishte budallallëk nëse do ta linte Mbappen të largohej.
“Mbappe ka nevojë për një mjedis më të organizuar, si ai në Real Madrid. Por pastaj i thashë presidentit të PSG-së të mos e shiste”, ka thënë Ibra.
Mbappe i është bashkuar PSG-së në vitin 2017 në një marrëveshje huazimi nga Monaco fillimisht, para se të nënshkruante kontratë afatgjate.