Ibrahimoviqi mund të bëhet trajner i ri i Milanit
Futbollisti suedez në pension, Zlatan Ibrahimoviq, mund të bëhet trajner i Milanit, raporton gazeta italiane “La Repubblica”.
Aktualisht skuadra e Milanit drejtohet nga Stefano Pioli, por nuk arrin rezultate të lakmueshme në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve këtë sezon.
Pas humbjes ndaj Atalantës në kampionat 3:2, italianët po shkruajnë për largimin e mundshëm të Piolit nga pankina.
Pasardhësi i tij mund të jetë Ibrahimoviqi. Edhe muajin e kaluar italianët shkruanin se Ibrahimoviqi me siguri do të rikthehet në klub, por ende nuk është e qartë se çfarë posti do të mbajë.
Është folur se do të ishte asistent trajner, këshilltar, madje edhe drejtor atletik. Në karrierën e tij, Ibrahimoviqi ka luajtur 163 ndeshje për Milanin dhe ka shënuar 93 gola. Ka fituar edhe kampionatin italian me Milanin.