Icardi largohet pa LK-në, Raiola e çon te Reali
Interi nis të mendojë për afatin kalimtar të verës, me planin për të përforcuar skuadrën, pavarësisht rezultatit që do të arrihet në fundin e këtij sezoni për skuadrën e Luciano Spallettit.
Siguritë në shtëpinë zikaltër janë të pakta: sipas “Rai Sport” skuadra e Milanos pritet të afrojë disa lojtarë për të forcuar organikën aktuale, por pritet të ketë edhe largime, përcjell “Panorama-Sport”. Gjithnjë më intriguese është situata e lidhur me sulmuesin kryesor dhe kapitenin Mauro Icardi.
Në optikën e së ardhmes, argjentinasi duket se do largohet gjithnjë e më shumë nga ngjyrat zikaltër. Madje, ai mund të largohet që këtë verë në rast se Interi nuk do të arrijë të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Ka kohë që Mino Raiola po i vjen vërdallë dhe nëse akordi ekonomik me klubin nuk arrihet, atëherë hipoteza për të punuar me menaxherin e famshëm bëhet intriguese, i cili do ta çonte menjëherë te Reali.