Icardi nuk do të nënshkruajë kontratë të re me Interin?
Një raport sensacional është publikuar në Argjentinë, i cili ka pohuar se kapiteni i Interit, Mauro Icardi, nuk do të nënshkruajë kontratë të re me klubin italian.
Sipas “TyC Sports”, agjentja dhe bashkëshortja e Icardit, Wanda Nara, tashmë ka informuar klubin e Interit se lojtari nuk do të rinovojë kontratën e cila skadon në vitin 2021.
Edhe pse sulmuesi gjithmonë ka shprehur besnikërinë ndaj “Nerazzurëve”, është marrë vesh se tashmë relacionet ndërmjet Wanda Naras dhe klubit janë acaruar tej mase, sidomos pas angazhimit të Giuseppe Marottas në pozitën menaxherit të përgjithshëm sportiv të klubit.
Shtypi argjentinas tashmë ka përmendur treshen e skuadrave që kanë dërguar ofertat në drejtim të Interit.
Real Madridi, Chelsea dhe Juventusi janë duke luftuar ashpër për firmën e super sulmuesit argjentinas.
Icardi për Interin ka shënuar 109 gola në 175 paraqitje dhe është konsideruar gjithmonë si pasardhës i Javier Zanettit.
Megjithatë, ndikimi i madh i bashkëshortes, Wanda Nara, që po ashtu ka qenë në kontakt me klubet tjera vazhdimisht, ka vënë shpesh herë Interin në pozicion të papërshtatshëm me futbollistin.