Idealistët nuk marrin parasysh asnjë vështirësi

05 janar 2023 | 17:36

Bisedë me Kadri Halimin (2)

Në shtëpinë e Kadri Halimit, në prani të bashkëshortes, bisedojmë për jetën e tij, që nga lindja e deri më sot.

 

Më xhelat nga shqiptarët asokohe, kush ishte?

– Shqiptarë xhelat nuk ka pasur. Serbët i bënin të gjitha të zezat.

Kush u printe serbëve?

– Vllada Popoviqi. I biri i Tomë Popoviqit. Ai i ka bërë këto masakra në Gjilan. Vetëm ai.

Fjalimin tuaj në ballkon, aty, si e pritën shkiet?

– S’kam folur shumë, nja dy tri fjali. Nja dy net, nuk kam guxua të fle në shtëpi. Me gjithë shoqen time kam ndenjur në Këshillin e Rrethit. Unë po të them me bindje se shqiptarët nuk kanë hyrë në parti për t’u bërë komunistë, por kanë hyrë për çështjen kombëtare dhe për bash­kim me Shqipëri.

Sa keni qëndruar në detyrën e sekretarit aty në Gjilan?

– Aty, në atë detyrë, kam qëndruar prej nëntorit deri në mars. Nja tre muaj. Ajo OZN-a mbajti mbledhje në Bashki. Ai i OZN-ës ishte Lubo Shotra, dhe u çua në mbledhje e për mua tha serbisht: da se smeni (të ndërrohet) Kadri Halimi.

Me çfarë arsyetimi?

– Kinse nuk ke qenë aktiv. Nuk po i ndjek ballistët dhe bile ka lidhje me ta. Në realitet ashtu ishte.

Kush u tregonte ashtu?

– Po, shqiptarët, po kush tjetër? Për mua thoshin koketon me ballistë. Punoja në komandën e vendit hala. Halili ishte komisar. Unë isha nëpunës. Komandant ka qenë një shka. Atëherë patën ardhur nga internimi Kurtesh Agushi e Sinan Hasani, që kanë qenë të internuar në Vjenë. Në vendin tim u emërua Sinan Hasani. Prej atëherë, ai gjithmonë ka qenë në pushtet dhe ka shkuar përpara.

Gjatë asaj kohe, sa ishit sekretar, a ka pasur arrestime?

– Po, vazhdimisht. Vrasjet u ndalën, por vazhduan gjykimet dhe dënimet. Flitet për tortura të rënda gjatë atyre hetimeve nëpër të cilat kalonin njerëzit që arrestoheshin. Ka pasur edhe tortura me zjarr. I kanë rrahur njerëzit, i kanë torturuar dhe, duke i therur me thika, i kanë dërguar për pushkatim.

 Çka u bë me atë celulën tuaj të partisë komuniste?

– Interesant është se në Gjilan asnjë prej atyre shokëve nuk pati mbetur. Kam mbetur vetëm unë. Të gjithë të tjerët ishin larguar. As Veseli, as Vebia, as Kurteshi, vetëm unë kam mbetur. Qysh kam shpë­tuar, nuk e di as vetë. Në të ’46-tën, e pashë që nuk ka rehati, vendosa të shkoja në studime, mbasi me përjashtuan. Pata ardhur në Prishtinë dhe pata punuar nja motmot a ma shumë. Nga Këshilli Krahinor shkova në Prizren, prej Prizrenit u ktheva në Prishtinë. Mora pushim vjetor dhe shkova në studime dhe u regjistrova në fakultet në të ’46-tën.

 Ku?

– Në Beograd. Regjistrova grupin e pestë – shkencat etnologjike. Dhe kam diplomuar me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1950, për katër vjet.

A ju kujtohet dikush nga studentët, kush ishte më aktiv, që eksponohej në pikëpamje kombëtare?

– Ka qenë Aliu dhe unë, të tjerë nuk kam njohur. Kanë qenë edhe Ramadan Vraniçi, Fran Berisha, Talat Gorani…

Në çfarë moshe u martuat?

– Jam martuar në vitin 1943. U martova me një vajzë nga qyteti, vendëse e qytetit. Nga familja e Mulla Sherifit. Ajo ka pasur disa djem të vëllezërve, ndërsa vëllezërit i kanë vdekur.

Sa fëmijë i keni?

– Katër, dy vajza e dy djem.

Drita është fëmija im i parë, tash e njohur si Drita Statovci. Ajo i ka tri vajza. Ajo ka mbaruar fakultetin e gjeografisë. Edhe ajo është orien­tuar në etnologji dhe akoma merret me këtë fushë studimesh. Punon në Institutin Albanologjik

Emrat e vajzave të saj janë: Anila, Brikena dhe Ardita.

Fëmija i dytë është Enveri. Ky i ka tre djem. Emrat e tyre janë Partim, Krenar, Besart.

Fëmija im i tretë është vajza ime, Zojë Halimi. E martuar për Fat­mir Bujupin (shahisti i njohur). Është mjeke e sëmundjeve të kraha­rorit.

Ka një çikë e një djalë. Çika e ka emrin Flakë e djali Festim.

Fëmija im i katërt është djali im, Andini. Ka pas regjistruar kiminë. Në vitin 1990 e zuri lufta në Kroaci, në Karllovc. Prej aty e kanë tran­sferuar në Shabac. Aty kemi shkuar unë e gruaja, e kemi marrë. Iku nga ushtria. Ka ndenjur nja gjashtë vjet në Gjermani. Pastaj ka ardhur në shtëpi dhe punon këtu. Është i martuar. Ka dy djem. Shnatronin dhe Erionin.

Kur ishit në studime, a keni pasur ndonjë fëmijë?

– Po, i kam pasur dy; Dritën dhe Enverin. Djali ka lindur kur isha në Beograd. Shoqja e ka emrin Kadrije e unë Kadri. Kam banuar me grua atje. Dikur u bëra asistent dhe më dhanë një banesë. Më ndalën menjëherë për asistent. Në bazë të suksesit, njëherë më pranuan pro­fesor e pastaj ato formalitetet për asistent në vazhdim. Shefi i katedrës ishte Drobnjakoviq Borivoje, dhe shpeshherë me thoshte se serbët po ia shohin për të madhe që ka pranuar këtë shqiptar asistent e nuk ka marrë një serb prej këtu. Fakultetin e kam mbaruar në moshën 27-8 vjeçare.

A ju kanë ndjekur gjatë studimeve, pasi ishit i përjashtuar edhe i burgosur?

– Po, sigurisht. Dhe e kam ditur. Ka qenë një Manetoviq nga Priz­reni. Më kanë burgosur në vitin 1952. Si Informbyroist, kishe për Sta­linin.

Ka qenë një Rista Vuçkoviq, ai ma sjell mua do material propagan­distik. Kur unë po dua t’ia kthej, atë Riston e kishin pas futur brenda.

E kam takuar në Goli Otok. Kur më ka parë atje, ka menduar që unë e kam qitur në kurth për atë libër. Aty ishte në burg edhe Vehbi Rexhepi. Aty u bë një rrëmujë dhe nuk dihej kush çka po bën. Ai materiali që ma pat dhënë ishte Projekti i Çubrilloviqit që e kishte lexuar para Shoqatës kulturore serbe.

Ju, baca Kadri, a ju kanë marrë në pyetje gjatë asaj kohe?

– Po, përherë.

Gjatë qëndrimit tuaj në burg, a keni pasur kontakte, a jeni parë mes vete?

Po, more, jemi parë, pasi kemi qenë në një pavijon. Por, jemi ruaj­tur shumë. Kur ishim shumë veta, mundeshim të flisnim. Kur kemi dalë të punojmë mbi 200 veta kolektivisht, krejt kemi mundur të kontaktonim.

Hetimet, kur i bënin, kur ju merrnin në pyetje? Pas punës, natën, apo?

Ka qenë aty në burg edhe vëllai i Josip Gjergjës, i cili kishte qenë kryetar i një komune a nuk di, ashtu diçka, ishte në burg. Ka qenë një malazez, Savo Raguzh, dhe më thirrën mua atje. Më thanë, ti je me fakultet, sigurisht nënën e ke pa shkollë. A ke baba? Jo, më ka vdekur, Po, nëna? Sigurisht. Profesoreshë, a? Si e ka emrin? Nuk më binte ndër mend emri i nënës! Ti po do ta fshehësh emrin e nënës a? Kur një tjetër po thotë, mos e ngucni djalin se boll. A po e sheh që ky qenka hutuar krejt. Nuk po e di as emrin e nënës së tij. Ai tjetri po thotë, nuk po do ta tregojë atë. Kur, dikur, na e prunë atë të Zarës. Ai po ma këndon këngën “Oj e bukura More”. Mbas 6 muajsh më ra ndër mend emri i nënës dhe shkova e u thashë se më ka rënë ndër mend emri i nënës. Ai i Zarës ka qenë i burgosur aty. Kishte qenë kryetar komune. Ai farë Gjergja, thonë e ka gjetur atë ishullin e Goli Otokut.

A keni bartur gurë aty, siç thonë?

– Po. Gjatë gjithë kohës sa kam qëndruar aty, kam punuar në gurore. Herë me caktonin me vagoneta të punoja. Me ato vagoneta i bartnim gurët. Ka qenë edhe vendi ku i përpunonin ata gurët.

Qeshë pjekur nga rrezatimi, qeshë nxirë e rreshkur krejt, sa nuk mund të më njihnin as njerëzit e familjes. Kur jam kthyer në shtëpi, nëna thoshte, ma kanë ndërruar djalin shkiet, nuk është ky djali im.

Ka qenë një Abit Qollaku i Prizrenit, një moment e kishin organi­zuar linçimin e tij, e shoh kur e kanë qitur aty, e kanë filluar ta rrihnin me çdo gjë, shkelma, dru, e grushte. Gjaku i shkonte vadë. U alivanos. E morën, e dërguan diku, por mbasandaj e kam parë që u kthye gjallë.

Ka pasur shqiptarë të Tetovës. Ne patëm mbetur tre veta të Kosovës me çekanë. Mua më thirri hetuesi e po më thotë, kur do të mbushesh mend? Përherë flet diçka pa lidhje. Ai po më thotë se nuk do të dalësh gjallë prej këtu. Ky që e dëgjonte po thotë, kjo është metodë e tyre. Ti do të dalësh gjallë prej këtu. Ata e bënin këtë për të frikësuar njerëzit që të mos bënin vepra të tjera e për t’u kthyer këtu prapë.

Për burgosjen e dytë, kam shkruar në letër. Më patën dënuar shtatë vjet e gjysmë. Me akuzë për veprimtari armiqësore. Bashkim kundër shtetit dhe bashkimin e të gjitha viseve shqiptare, që ishin nën Jugo­sllavi me Shqipërinë. Aliun e dënuan tetë vjet, e mua 7,5, ndërsa Ramadanin tetë vjet burg. Këta patën ikur.

Sa ishte zhgënjimi juaj në jetë për ato ideale që luftuat, sa tragjedi e sa drama keni përjetuar dhe në fund u tradhtuat?

Ata e kishin pasur në plan për të na shfarosur krejt.

Kallëzomëni ju, si po shkon puna tash?

Idealistët nuk marrin parasysh asnjë vështirësi. Ata nuk synojnë kurrfarë pasurie, as dekorata as privilegje. Atyre u intereson liria. Tash një pjesë e atij ideali është realizuar. Nesër të shkojmë në Drenicë dhe t’i nderojmë të rënët, por edhe t’i pyesim se çfarë kanë përjetuar, kjo duket pak përtej realitetit. Unë e njoh Fehmi Lladrovcin, si ka thënë ai. Si ka rënë për liri. Ai ka shkuar në luftë i gatshëm për të vdekur.

Baca Kadri, a mund të na thoni diçka për arrestimin tuaj, ndonjë çast dramatik? A lexonit diçka aty në burg?

– Kam harruar! S’na kanë lënë asgjë as kur ishim jashtë burgut e le më në burg.

Për etnologji diçka?

– Jo.

A lexonit shtypin?

– Po, shtypin serb.

A keni pasur shokë dhe a keni biseduar me ta gjatë qëndrimit tuaj në burg?

– Po, sigurisht.

 A ju kujtohet emri i ndonjërit, dikush prej tyre?

– Jo, i kam harruar krejt.

Ndonjë shok më të mirin?

– Aliun e kam pasur.

A keni pasur provokime nga gardianët apo drejtoria e burgut?

– Po, sigurisht se kemi pasur. Na kanë detyruar të punojmë punë të rënda.

Çka keni punuar?

– Atje ku mbaronin vaska metali. Punonim në furra. Ishte zhurmë e madhe. Punonim me veshë të mbyllur.

Keni punuar me ndërrime?

– Po, sigurisht. Punonim me tri ndërrime.

Gjithë kohën keni punuar aty?

– Po. Sa kohë që kam qenë në Nish, aty kam punuar.

 Sa vjeçar ishit kur keni vuajtur dënimin në Nish? Sa ju kanë mbajtur në Nish?

– Pak. Prej aty na kanë shpërndarë nëpër burgjet e tjera. Mua më dërguan në Stara Gradishkë. Vëllanë tim e dërguan në Bosnjë. Aliun e mbajtën në Nish.

 Po në Stara Gradishkë?

– Aty një vit kam vuajtur në vetmi. Pastaj në pavijon.

 A lexonit diçka aty?

– Po. Ka pasur edhe libra, bibliotekë.

 Në ç’orë ju zgjonin?

– Në orën shtatë.

 Sa kohë kishit shëtitje?

– Gjysmë ore. Nga ora tetë ose nëntë.

Keni pasur shtrat në qeli?

– Po.

Ishit me dikë apo vetëm?

– Fill vetëm. Edhe në shëtitje vetëm. Pasi më kanë hequr nga vetmia, më kanë bashkuar me të burgosurit e tjerë, por nuk ka pasur shqiptarë.

Pasi ju hoqën nga qelia, a ju dërguan në punë?

– Po. Kam punuar atje ku punoheshin cisternat. Kemi pasur syze gjithmonë, sepse aty kishte saldime gjithë kohën.

Edhe kur punonit, nuk ju jepnin ushqim më të mirë?

– Jo. Sikur të gjithë të burgosurve.

Sa kohë keni punuar në atë uzinë?

– Dy-tre vjet po.

Keni qenë të sëmurë ndonjëherë?

– Jo.

Dhomat e fjetjes, me shokë?

– Po, kanë qenë dhoma të mëdha ku flinim nga dhjetë e pesëmbë­dhjetë veta. Edhe në vazhdim kanë bërë transferime. Mua më kanë kthyer prapë në Serbi. Dikë e kanë dërguar në Slloveni apo Kroaci. Mua më dërguan në Pozharevc.

A ishte burgu më i mirë se në Nish?

– Po. Më i mirë se në Nish.

Po a takuat ndonjë shqiptar në Pozharevc?

– Po. Por në vitin 1966, kur ra Rankoviqi, e zbutën pak trajtimin, por fare pak.

Ju kanë mbajtur në dhoma kalimtare?

– Jo.

Sa ju kanë mbajtur nën hetime herën e parë?

– Jam burgosur dhe kam vuajtur në Beograd, gjashtë muaj nën hetime.

Po herën e dytë?

– Prej muajit mars deri në shtator, nën hetime, më kanë mbajtur në burgun e Prishtinës.

A keni pasur tortura në burgun hetues?

– Ka pasur dhunë, por ndaj meje jo.

Kur ju merrnin në pyetje? Natën?

– Kryesisht natën. Nga ora dymbëdhjetë.

A mbani mend ndonjë emër të hetuesve?

– Po, si jo. Ishte Çanoviq. Ky ishte hetues për mua. Ka qenë edhe një Çalloviq.

A keni dyshuar ndonjëherë se kush ju zbuloi, nga rrodhi?

– Jo. Me siguri nuk di asgjë.

Sa veta keni dalë në gjyq?

– Më duket nja nëntë veta në Prishtinë dhe në Gjilan 7-8 veta.

Gjykatës ka qenë Tahir Ibrani. Ishte prokuror Hasan Kryeziu, por nuk e lejuan dhe për ne u caktua një zëvendësprokuror, Ramo Vodopiq, boshnjak. E dija që ky në kohë të Shqipërisë ka bartur plis të bardhë.

Ishte gjykim publik?

– Po, formalisht kanë qenë të gjitha gjykimet publike. Ishin të prani­shëm edhe anëtarët e familjes. Gruaja ishte.

Avokat a keni pasur?

– Ata i kanë caktuar. Ne nuk kemi marr avokat fare. Formalisht.

A ka qenë serb avokati?

– Po, serb ka qenë!

A ju mbronte ndopak apo fare?

– Jo, more, por vetëm sa për të thënë që është aty.

A ju dërguan menjëherë në Nish?

– Gjykimi u bë në shtator, e ata na kanë shpërndarë në mars të viti vijues. Më së pari më kanë çuar në Mitrovicë të Sremit. E nga Mitro­vica e Sremit në Pozharevc.

A mbani mend ndonjë të burgosur politik që keni parë aty?

– Po. Kanë qenë Kadri Kusari, Adem Demaçi, Zeqir Gërvalla. Ka pasur edhe të tjerë, por kam harruar. Kemi qenë tetë a dhjetë shqiptarë aty. Aty kemi folur mes vete aq sa kemi pasur mundësi dhe tjetër bisedë nuk kishim, pos për punën tonë.

Juve, çfarë pune ju dhanë aty në Pozharevc?

– Aty kam punuar në një punëtori mekanike, si shpues metali, gati dy vjet.

Kur ju kanë ndarë ju të burgosurve politikë, a keni pasur në dhomë ndonjë shqiptar?

– Ka pasur shqiptarë plot, por aty në Pozharevc ne shqiptarëve na kanë bërë bashkë të gjithëve.

Sa zgjati ajo kohë?

– Derisa e kemi mbaruar kohën e dënimit.

A vërehej ndonjë urrejtje ndaj jush, si shqiptarë dhe të dënuar për politikë?

– Jo, jo. Pasi ra Rankoviqi, qe zbutur situata.

Vizitat nga familja ishin në çdo muaj?

– Po, po.

Vinte për vizitë shoqja, nëna?

– Po. Nëna, shoqja, çika, djali. Na kanë sjellë pako, deri 16 kg në muaj.

Kur e keni përfunduar burgun?

– Në vitin 1968. Kam dalë bash në kohën e demonstratave. Kam dalë pak para demonstratave të vitit 1968 që u bënë më 27 e 28 nëntor të ’68-tës.

Kush mbeti në burg kur dolët ju?

– Ademi, edhe Kadri Kusari, Zeqir Gërvalla, Xhafer Mahmuxhiku, Hysen Daci.

Në dënimin e dytë, sa vjet burg mbajtët?

– Shtatë vjet e gjysmë.

A i përjetuat mirë demonstratat që po bëheshin?

– Po, ishim të kënaqur.

A ndodhi t’ju marrin në pyetje prapë, pasi kishit dalë nga burgu?

– Jo, nuk kanë ardhur.

Sa kohë keni ndenjur pa punë?

– Nja një vit apo një vit e gjysmë, ashtu. Nuk më linin as në arsim, as në kulturë, as në shkencë. Më morën përkthyes, referent në Spitalin e Përgjithshëm. Aty kam punuar katër vjet. Më dhanë këtë banesë, që kam tash. Pastaj dola në pension. Sa herë flisnim diçka, dilte problem. Kështu, mjekët shqiptarë, pasi ka qenë një konsilium për të caktuar shëndetin për pensionim të parakohshëm, edhe kështu vepruan. Prej asaj dite isha në pension invalidor.

A kishit akoma përcjellje apo provokime, si i burgosur politik?

– Jo, jo. Shqiptarët e kishin në dorë krejt punën.

Sa ishit në punë në Spital, a jeni marrë me punën tuaj profesionale?

– Jo, jo.

E pashë një foto në librin tuaj nga Karadaku?

– Tash e kam botuar atë libër. Në libër kam trajtuar shumë tradita tona. Kam trajtuar edhe pozitën e gruas në familje. Kam përgatitur edhe një libër tjetër për botim.

E keni imagjinuar ndonjëherë këtë që ndodhi këtu te ne në këtë kohë?

– Jo, asnjëherë.

Si po ju duket kjo gjendje faktike e popullit shqiptar, në Kosovë e në Shqipëri?

– Mirë, por punët po shkojnë fort ngadalë. Neve po na ngutet. Erdhën në pushtet shqiptarët. Pse të mbetet Mitrovica ashtu? Duhet të veprohet menjëherë.

Po thonë se nëse hiqen edhe ata serbë, mbetet Kosova etnikisht e pastër?

– Ka disa katunde në anën e Moravës, Ranillugu, Ropotova…

56 fshatra i ka Gjilani, apo? Ka serbë edhe Kamenica, edhe Graçanica?

– Po ta marrin pushtetin në dorë shqiptarët, serbët ikin menjëherë. Serbët nuk i durojnë shqiptarët në pushtet.

A ishit këtu në Prishtinë, kur u suprimua autonomia?

– Po, isha këtu në Prishtinë.

Po do shqiptarë edhe patën ngritur gishtat!? Thuhet se para votimit i ka thirrur UDB-a dhe i ka përpunuar?

– Sigurisht, i ka ftuar dhe i ka kërcënuar.

A keni biseduar ndonjëherë me bacën Ramiz, se çka ka folur me Fadilin, kur u mbajt Kuvendi i Prizrenit?

– Po. Po, ai ka marrë guximin dhe ka folur. Ai ka thënë se nuk po shoh kurrfarë ndryshimi nga Jugosllavia e vjetër. Krejt ishte qëllimi të na shpërngulin për Turqi. U ngritën edhe disa të flisnin, por nuk ua jepnin fjalën. Ishte i pranishëm edhe Ali Shukriu. Kur kanë dal nga mbledhja, duke ecur nëpër çarshi, ka folur ndërmjet Fadilit e Xhavitit. Fadili i kishte thënë, ik prej këtu, se tash të vrasin. Kështu më ka thënë baca Ramiz.

U kthye në katund, në Cërrnicë dhe tha atë që ka thënë haptas. Ne jemi për t’iu bashkuar Shqipërisë, e jo Serbisë.

Pasi kanë dalë nga Kuvendi, a ka pasur ndonjë polemikë Ramizi me Fadilin?

– Nuk e di. Nuk më ka thënë për këtë asgjë. Ai djali i tij, Raifi, që ishte në Mitrovicë me brigadën, ka qenë komisar. Kur e gjykuan, e dënuan me vdekje. Kemi shkuar te Fadili. Unë shkova, Vesel Rexhepi e Ramadan Jusufi, e kemi lutur t’ia falin jetën, se ka qenë shumë i ri. Nuk ka qenë më shumë se 15-16 vjeç. Mezi u pajtua dhe tha; shkru­ajeni një lutje. E kemi shkruar një lutje dhe e dërguam në burg. E ka çuar Vesel Rexhepi për ta nënshkruar ai (Raifi), se nuk donte ta nënshkruante. Veseli ia ka marrë dorën me zor dhe e ka nënshkruar. Edhe si një kurir, apostafat këtë ia kanë dërguar Titos përmes Fadilit. Krye 15 dite i është falë jeta. Më vonë Fadili ka thënë se ia kam kthyer borxhin Ramizit, pse ai më ka shpëtuar në Gjilan gjatë luftës, në Livoç. Tash, unë djalin ia kam shpëtuar. Këtë e di ai.

Sa ka mbajtur burg mbasandaj?

– Shtatëmbëdhjetë vjet burg i ka mbajtur.

A keni biseduar me të, mbasi doli nga burgu?

– Po, ai ka dalë nga burgu e unë kam hyrë aty. Nuk pata rast ta shihja në burg. Nga dritarja na ka përshëndetur me dorë. Pastaj, kur kemi ardhur, kur jam liruar unë, jam takuar me të dhe kemi biseduar shpesh me të. Pastaj u formuan partitë. Një herë kam qenë anëtar i këshillit të përgjithshëm, por jam larguar dhe ma nuk jam përzier askund.

Çka ju shtyri që u tërhoqe?

– Po, përçarja e shqiptarëve.

Kështu, u tërhoqa krejt. Tash kam mbetur në shtëpi. Shumë pak kam dalë nga shtëpia.

Kur është mbajtur Kuvendi i Prizrenit, ka qenë gjendje e jashtëzakonshme? Në këtë gjendje populli nuk mund të deklarohet? Regjimi i nxori dhëmbët a?

– Po.

A bisedonit mes shokëve?

– Çka të bënim?

Kur u suprimua autonomia në të ’89-tën, u bë me skenar të njëjtë, sikur në Prizren? Me dhunë e shantazhe e me tanke? Pasi u bënë shumë parti dhe pasi u krijua gjendje e jashtëzakonshme, pse nuk formonit Këshillin Kombëtar sikur Çerçilli? Si e shihni këtë, pasi ishit edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm?

– Nuk ishte në rregull. As sot nuk është në rregull. Ata duhet të bash­kohen e të bëjnë Këshillin kombëtar. Ibrahimi nuk po do ta bëjë Këshi­llin kombëtar. Ai e ka bërë të veten.

Për ta bërë një martesë, duhet dy veta të bien në ujdi. Po, kur nuk do pala tjetër, çka të bëhet?

– Nuk e di.

Ju e dini mirë! A po shkoni në Cërrnicë ndonjëherë?

– Jo. Kam harruar kohën kur kam qenë së fundit herë.

A ka mbetur ndonjë moshatar juaji? A po vijnë t’ju shohin?

– Po, po, vijnë.

Me bacën Ali, a po takoheni?

– Pak.

Me bacën Adem, a po shiheni?

– Jo, kurrë, fare. Ai është tjetër, dhe ka mentalitet tjetër.

Po në burg?

– Në burg ai, në burg unë. Ai është imponues. Ai thotë se i di të gjitha dhe duhet bërë siç thotë ai, se ndryshe nuk bënë hiç.

Kur më dërguan në Pozharevc, e takova. Ademi me ekipin e tij. Disa, jo krejt. Ai ish mbajt mirë me drejtorin e burgut. Çka të kenë nevojë këta të burgosurit, ai t’i thotë atij drejtorit dhe ai të komunikojë me të. Drejtor ka qenë njëfarë Toromani. Kur shkova unë aty, më thoshte; baca Kadri, baca Kadri. Kur ish takuar me drejtorin, i kishte thënë se unë më nuk jam përgjegjës për shqiptarë. Drejtori i thotë, pse, ndërsa ky i thotë; sepse e kemi një tjetër. Ai është më plak e ka përvojë më shumë. Po kush është ai? Filani! Erdhi e më tregoi vetë Ademi. Kështu e kështu i kam thënë drejtorit. Do të shkosh e t’i tregosh. Duhet të mbahesh mirë. Unë i thashë, zoti të marroftë, se më paske spiunuar. Si me mahi tha. Ti je tash kryesori, e jo unë. Si të them, i kishte mbajtur në zap këta të burgosurit e tjerë. Cik nuk kanë guxuar të bëjnë prej tij. Kur shkova unë, po thonë, qe, prejse ke ardhur, na ke shpëtuar. Pse, bre? Po, besoni se ai nuk linte asgjë. Krejt të bënin vetëm çka thotë ai. Një ditë e kishin pasur një përvjetor të burgimit, i ka shtyrë të agjërojnë të gjithë.

Dini gjë për Rexhep Elmazin?

– Po, ka shkruar poezi, ka qenë shkrimtar!

E kanë vrarë në Gjilan?

– Nuk e di.

Si u bë mandej? A mbajtët lidhje me drejtorin?

– Po.

Ju keni qenë më liberal shumë? Nuk i keni detyruar të mbajnë disiplinë?

– Po, me siguri! Krejt një herë a dy nuk kam qenë te drejtori.

Pasi keni dalë nga burgu, a keni qenë për ta vizituar bacën Adem? Pas jush ka dalë?

– Po, po. Kam qenë, e kam vizituar në shtëpi. Kur e ka kryer burgun e parë, kam qenë në shtëpi të tij.

Ai ka vuajtur shumë? Kur u lirua së fundit herë, a keni qenë për ta vizituar?

– Jo, më jo.

Po, policia, sa keni qenë këtu, a ka ardhur për t’ju provokuar apo diçka? UDB-a?

– Jo, jo. Gjatë luftës erdhën një herë do policë, por asgjë nuk pati. Nuk pati mbetur asnjë shqiptar. Krejt dyert kanë qenë hapur. Hynë e këqyrën. Thanë, serbisht; nuk do t’ju ngacmojë askush, rrini pa kasavet.

A kishit para për furnizim, për ushqim?

– Po. Shoqja ka dalë për të blerë gjërat që na duheshin. Unë nuk kam dalë.

I dëgjonit bombardimet?

– Po.

Baca Ali thoshte, po të mos kishte bombardim, nuk na merrte gjumi?

A keni qenë në Shqipëri?

– Jo, kurrë nuk kam qenë.

A po lexoni gazetat? Si po ju duket politika?

– S’e di çka të them. Kësaj radhe i ndihmuan Kosovës shumë. Pandeli Majko. Po këto bandat nuk po mund t’i zhdukin. Kanë ardhur edhe te na. Çfarë shteti është ai?

Keni dëgjuar për mbrëmjen e dreqërve? Ata kanë vallëzuar me dreqër?

Kur bisedova me Ramadan Rexhën, vëllai i tij kishte qenë kur keni dalë prej burgu. Cilin e dalloni nga shqiptarët që bashkëpunonin me pushtet? Apo cilin nga serbët, që u dallua me dhunë ndaj shqiptarëve?

– Për këta tanët, nuk e di. Nga serbët ka qenë i biri Tomës! Ai nuk ka lënë të zezë pa bërë mbi shqiptarë.

Të moçmit na thoshin çdoherë, mos i besoni shkaut. Ai për kumbarën e mban sëpatën nën jastëk. A ju kujtohet si ndodhi që të tradhtoheshim në vitin 1945? A u besonit parullave për barazi e vëllazërim-bashkim?

– Besa atyre kurrë nuk u kam besuar!

Ndoshta nuk keni pasur zgjidhje tjetër?

– Po, ku të shkonim? Dikah duhej t’ia mbanim.

Po Shaban Polluzha, si e bëri zgjidhjen? A duhej të ishin të gjithë Shabana? Fadil Hoxha u besoi. Ali Shukriu u besoi. Më vonë Xhaviti e të tjerët u besuan.

– Ata hynë në atë valle dhe s’kanë pasur mundësi të dalin. Iliaz Kurteshi ka qenë udhëheqësi shqiptar më i mençëm. Ai është shqiptari më i ndershëm.

 Ndoshta nuk ka qenë luftëtar i ’45-s?

– Po, more, ka qenë. Ai ka qenë në Mitrovicë, në sindikatë. Thoshin, nuk është shqiptar. Thoshin, është goran. Ai nuk është i Gorës. Ky ka qenë më shqiptar se shqiptarët.

Ju po thoni Fadili. Folëm mbrëmë me bacën Avni. Ai ka qenë në ’68-n lansues i kërkesës shqiptare për Kosovën Republikë kur kanë filluar ato tubimet e rrepta të komiteteve. Në Gjakovë thuhet se ai Fadili e ka pranuar aty se nuk duhet të bëhet Kosova republikë, se nuk është koha, me arsyetime të ndryshme. Ai në ’81-shin, ato ngjarje i quajti kundërrevolucion. Ai e quajti rininë pleh i Kosovës. Ai tha bira e miut 300 grosh. Edhe 700 shqiptarë shkuan nëpër atë birë të miut. Kur erdhi koha, ra nga protestat e grave serbe. Kurrë nuk foli, nuk e tha të vërtetën. Bujanin e anashkaloi.

Për Ali Shukriun e dimë që është bërë Ilia. Ramadan Vraniçi thotë se këto synime i ka pasur LNÇ-ja, ashtu siç i ka UÇK-ja. Aty ka dallim të madh. Në LNÇ luftuan krah për krah me serbët, kurse UÇK-ja kundër serbëve.

Me Metush Krasniqin a keni biseduar ndonjëherë?

– Në burg sa kemi qenë, po. Më nuk kam biseduar.

Gjatë burgimit të parë, sa kohë keni punuar?

– Shënimet për pjesën e parë i kam tubuar të gjitha.

Gjatë qëndrimit tuaj në burg, a janë aty dhjetë vjet punë apo më tepër?

– Prej 1954-tës deri në të ’60-tën, është pjesa e parë e shënimeve. I kam bërë top dhe i kam botuar nëpër revista të ndryshme dhe prej tyre kam botuar librin. Kjo pjesa e dytë është më interesant. Krejt ato materialet që m’i ka marrë UDB-a. I di ato të gjitha dhe i kam shënuar.

Sa vjet punë i keni bërë në pjesën e dytë?

– Nja dy vjet punë intensive. Kam shkruar kryesisht për pozitën e gruas apo të femrës shqiptare në aspektin etnologjik

Çka kishit dëshiruar, përveç unitetit të popullit shqiptar, tash?

– Së pari, pavarësinë dhe pastaj bashkimin me Shqipërinë. Ne gjithmonë e kemi ëndërruar bashkimin.

Një parlamentar francez, (ishte një shënim në ‘Rilindje’), thotë se ideja e Ibrahim Rugovës për Kosovën shtet të pavarur është tejkaluar. Tash Evropa duhet të punojë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?

– Po, e kam lexuar.

(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Fund) /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem, ka njoftuar se organi…