Idealizmi urban i heroit Rexhep Mala në disa pamje
Izmi Zeka
Sa fillon të shkruash për personalitete që bënë shumë për çështjen shqiptare, për përpjekjet e tyre të vazhdueshme, për konsekuencën në luftë për liri, për jetën e rëndë në burgjet jugosllave, për ilegalitetin e thellë, për vitet e rënda në angazhimet konkrete kur një Jugosllavi ishte e tëra kundër shqiptarëve, pa dyshim se është vështirë ta përshkruash dhe ta paraqesësh volumin e angazhimit të disa figurave që ishin emblematike dhe frymëzuese për kohët e mëvonshme dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nëse historia ia ka borxh pasqyrimin ideal, ndikimin e tij dhe përfaqësimit në trevat shqiptare, Rexhep Mala është një ndër idealistët dhe formuluesit e idesë shtetërore. Deri në rënien e tij, Rexhep Mala, apo njeriu që kishte vetëm një rrugë; çlirimi kombëtar, pavarësisht prej çmimit që duhet paguar, nuk u ndal asnjëherë.
Krahasimi i tij në historinë tonë më të re, është i pakrahasueshëm për jetën, zhvillimin, intelektualitetin, idenë e qartë, përgatitjen apo nivelin e njohjes dhe aftësinë e kapërcimit mbi pengesat. që dukeshin të pakalueshme por të arritshme.
Është shkruar në forma të ndryshme herë me kompetencë profesionale e herë nga vullneti për të pasqyruar figurën, që nganjëherë duket mitike megjithatë ende nuk është futur në thellësinë e mendimit të tij politik, intelektual e kombëtar pothuajse asnjëri.
Për t’i dhënë një pasqyrim real se si Rexhep Malaj përjetoi burgjet famëkeqe Jugosllave do të mundohem të analizoj librin me kujtime nga burgu, siç është titulluar “Qëndresa”.
Në parathënien e këtij libri, siç autori e ka quajtur “Disa fjalë për jetën e furtunshme të shokut Rexhë Malaj”, autori i bënë një vështrim jetës dhe veprimtarisë politike e atdhetare të Rexhep Malës. Ai përshkruan jetën e tij që nga lindja e deri në rënien e tij së bashku me Nuhi Berishën
Autori thekson: “në disa aksione që u ndërmorën në nëntor 1973 dhe gjatë vitit 1974, Rexhep Malaj u dallua për gjakftohtësi, këmbëngulje dhe udhëheqje të suksesshme të tyre”, për të vazhduar më tutje: “mëngjesi i 24 dhjetorit 1974 e gjeti Prishtinën të stolisur me trakte e parulla. Ishte ky një ndër aksionet më të mëdha që ishin ndërmarrë ato vite e që te krerët kuisling të Kosovës kishte ngjallur një panik të madh”.
Autori i parathënies mundohet që në mënyrë të saktë të paraqes hapat konkret te Rexhep Malës në këto vite dhe efektin që kishin në këtë kohë traktet dhe zhurmën apo frikën që e kishin njerëzit e pushtetit krahinor po ashtu edhe jugosllav.
Shihet se autori, në bazë të parathënies, ka njohuri rreth politikave të kohës por edhe të zhvillimeve që ndodhnin përtej politikës zyrtare të Kosovës e më gjerë.
Ai po ashtu shkruan edhe për burgosjen e Rexhep Malës më 23 maj 1975, torturat çnjerëzore etj.. Në një pasus, ai thekson për qëndrimin e Rexhep Malës para xhelatëve e tradhtarëve: “Gjatë hetimeve ai u mbajt në burgun e Prishtinës, ndërsa më vonë e çuan në Mitrovicë, prej aty e transferuan në Idrizovë të Maqedonisë. Si para torturave më mizore që ushtruan mbi të xhelatët e UDB-së në hetime, po ashtu edhe në ndëshkimore, shoku Rexhep qëndroi i patundur, ai nuk u gjunjëzua as në çastet më të vështira.
Kjo është vetëm një pjesë që në parathënie paraqitet se si Rexhep Malaj qëndroi përball torturave çnjerëzore, që bënin njerëzit e sigurimit shtetëror dhe aparati i tërë i Jugosllavisë mbi të burgosurit shqiptar. “Para së gjithash, po ju them se ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtarë e ju hetuesit serbë jeni kriminelë dhe do të dënoheni herë do kur, në gjyqin e popullit! Gjithashtu po ju them se Kosova do të çlirohet dhe do të bashkohet me Shqipërinë!” shkruan Rexhep Mala.
Sheradin Berisha për gjykimin e intelektualëve patriotë, në vitet 1975-1976 ku bënte pjesë edhe Rexhep Mala shkruan: “Dihet mirëfilli se nga maji deri në tetor 1975 regjimi i egërtitist ndërmori një fushatë të gjerë arrestimesh në Kosovë dhe me këtë rast u burgosën dhjetëra intelektualë patriotë, dhe në mesin e tyre ishte edhe simboli i qëndresës shqiptare Adem Demaçi. Demaçi u arrestua më 6 tetor 1975 dhe kjo ishte burgosja e tretë e tij. Në organizimin e burgosjeve, hetimeve dhe në fund të procesit gjyqësor, kanë marrë pjesë të gjitha strukturat e pushtetit në Kosovë, duke filluar nga Komiteti i Lidhjes Komuniste të Kosovës e deri te mediumet në gjuhën shqipe dhe serbe /TV-të dhe gazetat), që ishin vënë plotësisht në shërbim të UDB-së”.
Në këtë proces kundër djalërisë atdhetare drejtpërdrejtë morën pjesë:
1. Fadil Hoxha, zyrtar i lart i LKJ-së
2. Mahmut Bakalli, kryetar i Komitetit të LKK-së
3. Mehmet Shoshi, sekretar i Punëve të Brendshme të Kosovës
4. Hasan Mehmeti, kryeshef i Sigurimit shtetëror (UDB-së) në Prishtinë
5. Nazmi Juniku, sekretar Krahinor i Jurisprudencës dhe Administratës së Përgjithshme
6. Durak Jasharaj, gjykatës hetues
7. Halil Kelmendi, prokuror publik
8. Durmish Koçinaj, kryetar i trupit gjykues
9. Shefqet Bytyqi, gjykatës
10. Fehmi Gashi, gjyqtar porot
11. Mileva Grujiqi, gjyqtare porot
12. Hasan Berisha, gjyqtar porot
13. Nazmije Krasniqi, procesmbajtëse në gjykim
14. Fahredin Gunga, kryeredaktor i Radio Televizionit të Prishtinës;
15. Ali Olloni, gazetar i “Zërit të rinisë”
16. Isak Hasani, gazetar i “Rilindjes” (Vijon)