‘Ideja e qeverisë Kurti për hapjen e Urës së Ibrit pa marrëveshje, pjesë e propagandës parazgjedhore’
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka thënë se ideja e qeverisë Kurti për hapjen e Urës së Ibrit pa marrëveshje është pjesë e propagandës parazgjedhore.
“Si e tillë ajo ide nuk ka të bëjë me realitetin në terren. Përtej propagandës së Kurtit, ajo ide paraqet rrezik për sigurinë, sepse Ura e Ibrit ka një çerek shekulli që është simbol i konfliktit, i ndarjes dhe dhunës. Fuqia fillestare bllokuese e serbëve lokalë buron prej asaj Ure, që nga qershori 1999. Prandaj kushdo që nxitë krizë të re për Uren e Ibrit, thjesht u bën shërbim ekstremistëve serbë dhe regjimit të Beogradit, i cili ka muaj që ka lancuar, jo pa sukses, propagandën për zullumin e Kurtit ndaj serbëve në Kosovë. Sanksionet e Bashkimit Evropian janë dëshmi e atij suksesi të propagandës së regjimit të Beogradit”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Ai ka thënë se reagimi i prerë i shteteve të Kuintit, i KFOR-it dhe i BE-së paraqet saktësisht shqetësimin real për rrezikun që ka kjo ide e qeverisë Kurti.
“Eskalimi i mëhershëm për targat dhe inaugurimin e kryetarëve lokalë, ku u lënduan shumë ushtarë të KFOR-it, nuk duhet të lejohet më. Kosova ka nevojë për qetësi, paqe dhe marrëveshje me serbët lokalë, që janë shtetas të Kosovës dhe duhet të integrohen me dialog. Nuk mund të integrohen me dhunë”, ka theksuar Krasniqi.