Ideja kushtrimtare kombëtare në poetikën e zëarbërorit Dibran Demaku
Zekerija Idrizi
Marrë në tërësi, përmbledhtazi, veprat poetike të tregimtarit, eseistit e novelistit të spikatur Dibran Demaku janë artikulim përmes figuracionit, ideve dhe anës formale, i vetëdijes poetike të një shkrimtari që tashmë e ka krijuar të qëndrueshëm stilin e tij, shprehjen e tij dhe botën e tij artistike. Duke kapërcyer nëpër aktin sistemor të krijimit, poezitë e këtyre veprave dalin si perla të përpunuara të metaforave fine.
Poezia, si arti më i bukur letrar, është gjini e letërsisë, ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime dhe frymëzimi hyjnor i poetit shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargje. Vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijës, rrezet e arta të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë jetës. Madje-madje, ato shpërfaqin edhe dashurinë më ideale ndaj kombit, atdheut dhe vlerave të tyre substanciale. Që nga Lekë Matrënga e Pjetër Budi, në periudhën e pararilindjes dhe, veçantë, gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, e deri në ditët e sotme, kjo energji e prushtë eruptive nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijës, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptar. Duke i mposhtur të gjitha sfidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si pishtarë të shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër, brez pas brezi, nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka – për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni, Lasgushi etj., e deri në kohën tonë, duke u kthyer këta pishtarë e korifenj të letërsisë në flakadan të përhershëm që tashmë nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij… Disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, gjithashtu udhëhiqen nga ky flakadan në krijimet e tyre poetike, të cilët po e përplotësojnë dhe pasurojnë ca më thellë mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare.
Në këtë plejadë pishtarësh e krijuesish bën pjesë edhe tregimtari, esisti, novelisti e poeti zëmëmëdhetar Dibran Demaku. Përveç lirikave të mrekulleshme plot zjarr dashurie ideale midis çifteve, në poetikën e tij kryefjalë është edhe brenga dhe dashuria e madhe ndaj vlerave thelbësore të kombit e atdheut.
Venerohet qartë që në poezitë e Dibrani riciklohen e tensionohen shkallë-shkallë fenomenet dhe situatat ekzistenciale të kombit. Të pranishme dendur janë sintagmat “gangrena anti-kombëtare” dhe “murtaja kancerogjene në organizmin e Arbërisë”. Kjo panoramë shqetësuese rishfaqet në shumë tekste poetike të këtij autori. Ato lënë të kuptohet se në hapësirën tonë, në arealin tonë kombëtar, po ndodhë, ose, thënë më saktë, veçmë ka ndodhur një tragjedi. Ato krijime lexohen edhe si metaforë e kohëve mortore, ku janë katandisur keqas ca shqipfolës, që me këmbë rrojnë në Iliricum, por, mjerisht, me ëndrra fiktive e me meditime rrojnë diku në trojet lindore aziatike.
Poeti Dibrani na e tërheq vërejtjen përmes vargut te poezia “Gjeografi e atdheut”:
“Armiqtë të brejtën/ pak nga pak/ si minj të uritur
vrimave/ E ti në log betejash/ u këndoje këngë
trimave/ Shekujt iknin dalë nga dalë/ e ti bëje jetë
kaçakqe në mal/ Duke shitur dushk për gogël/ e tkurreshe e bëheshe i vogël, i vogël/ Kur dielli
të ndriqoi rrugën, jetën/ nise të gërryesh vetëvetë”
Ndaj dhe Dibrani është në dilemë të thellë kundruall kategorive “patriot e tradhtar”, teksa vargëzon:
“Nuk po dihet
humbur na janë rrugët në oborr
nuk dimë nga po na vijnë plumbat qorr
nuk po dihet më kush është patriot a tradhtar
dikush farë të keqe na ka mbjellë në arë…”
Mandej pason rënkimi, gjëma, pezmi dhe protesta e tij te poezia “Miniatura”:
Të rrosh a të vdesësh
të vdesësh apo të rrosh
biletën të presësh
rezultati bosh! …
Ta marrsha të keqen Fan Nol
dhe ty Hasan Prishtinë
dikush na bëri gol
dhe na ndryshoi historinë!
Dikush thumbit dikush patkoit
si kofini pas të vjeli
merre briskun i prejmë thonjtë
se asgjë tjetër nuk ngeli!
Iku festa, euforia
u kthye jeta jonë reale
çfarë do shënojë historia
për mendjet tona fatale?!..”
Këtë galimatias, këtë shkërmoqje e përdhosje të vlerave fundamentale kombëtare e ka nuhatur mirë Dibrani dhe ato i ka shpërfaqur me një gjuhë të qartë në poezitë e tij, si: “Ç’po ndodhë Kosovë me ty”, “Kur na erdhe liri, u koritëm“, “Fluturo Shqiponjë”, “Pop Pera”, “Si dje, si sot”, “Atdheut”, “Gjeografi e atdheut”, “Nuk po dihet”, “Nuk duam t’i shohim as rrezet e diellit”, “Në fund”, “Rrofsh Gjakovë“ dhe “Qëndro”.
Veçanërisht ajo me titull “Ç’po ndodhë Kosovë me ty” – një poezi kjo e vargëzuar me rimë e figuracion, me mesazh thellësisht kombëtar, që vë në thumb të kritikës në mënyrë sarkastike përdhosjen e vlerave substanciale të kombit nga maskarenj pseudo-fetarë. Poezi kjo, do shtoja, e qëndisur për mrekulli artistikisht në shkallë Himni kombëtar. Le ta lexojmë me vëmendje:
Çfarë po ndodh Kosovë me ty
çfarë po ndodh Kosovë me ty
po vë vetulla e po nxjerr sy
për ca dëngla ca fetare
po e rrënon historinë kombëtare
ca debilë ca klerikë të sotit
ta rrënojnë imazhin mot pas motit
si në kohët më të zeza
ty të shahet Nënë Tereza
si s’të shembet nën këmbë dheu
kur të shahet Skënderbeu
si qëndron e ftohtë si guri
kur të përdhoset keq flamuri
ca klerikë me mendje trapi
e bën vendin lesh arapi
po vë vetulla turko arabe
po nxjerr sy bilbili e shkabe
nëpër vite e nëpër shekuj
rrite trima e ngrite tempuj
tash ke mbyllur sy e vesh
ëndrrave tua u bie ndesh
populli i urtë populli i mirë
rri anash e bënë sehir
i pëcet zemra tek kraharori
kur namaz bën profesori
e vogëlushja pesëvjeqare
mëson kuran jo abetare
çfarë po ndodhë Kosovë me ty
po vë vetulla e po nxjerr sy…
Lëvizja radikale fundamentaliste e shqipfolësve me mentalitet beduinesk ka shkërmoqur e përdhosur si mos më keq gjithandej trojeve tona vlerat më themelore të substancës sonë kombëtare. Këtë pështirosje e katrahurë vlerash Dibrani e ka shpërfaqur zëshëm edhe te poezia me titull “Kur na erdh liria u koritëm”. Ta lexojmë:
Kur na erdhe u koritëm
eh liri sa shumë të pritëm
kur na erdhe u koritëm
u koritëm me macë e kucë
e lam dritën sharruam në llucë
u koritëm me shkrim e fjalë
u koritëm në fushë e mal
nuk ta ditëm liri rendin
me godina kulti mbushëm vendin
që ta shtojmë më shumë korinë
vendit ia ndërruam gjeografinë
në mes të europës në liri
e shndërruam vendin në arabi
tash minaretë që shpojnë qiellin
në gjuhë arabe e trishtojnë diellin
e trishtojnë diellin e trishtojnë hënën
për fe të huaj shajmë babanë nënën
që marrëzia të jetë e plotë
gjuhën e nënës e bëmë skllotë
jo veç gjuhën por dhe faqen
në gjuhë të huaja e gjejmë paqen
nëpër shtëpi nëpër trotoare
nuk të zë syri asgjë kombëtare
herë jeta qanë herë jeta qesh
ardhmërinë e bëm për lesh
në mëngjes herët në mbrëmje vonë
nuk e njeh qeni të zonë
nëpër shekuj qëndruam shqiptarë
në liri u bëmë trutharë
s’e duam tjetrin s‘e duam vetën
në ferr të zi e shndërruam jetën
eh liri sa shumë të pritëm
kur na erdhe u koritëm…
Në këtë shpërfytyrim vlerash me të drejtë Dibrani ua zë fajin më së shumti predikuesve demagogë, hoxhallarëve që i thërrasin njerëzit, grixhat e tyre, nëpër ndeja, oda e xhami për të menduar e punuar për parajsën e asobotshme, ndërkohë që vetë ata pasurohen në kurriz të tyre. Të tillët janë djaj të veshur me petka engjëjsh, – thotë Dibrani. Demagogjinë dhe matrapazllëkun e tyre ai e demaskon pakompromis te poezia “Në fund”:
“në fund të gjithë do jemi ushqim për krimba/ dhe nuk do vemi në parajsë as ferr/ mos i dëgjoni klerikët që në ujë bëjnë vrima/ të ju mbajnë nën frikë dhe në terr/ për veten parajsën e kanë në këtë botë/ nga unë nga ti nga ai dhe të tjerë/ tek helmin e/ mashtrimit e pijmë në gotë/ dhe ëndërrojmë në botën tjetër të kemi vlerë/…në injorancën tonë mësuar e kanë notin/ notojnë në ujëra të ëmbla që nga kohë e vjetër/ në fund të gjithë do të jemi ushqim për krimba/ dhe nuk do të vemi në parajsë as ferr…”
Por, Dibran Demaku në shkrimet e tij flet me një konsideratë të veçantë edhe për hoxhallarët patriotë e pishtarë të arsimit. Ai rrëfen për dy hoxhallarët e fshatit të tij, Abrisë, Mursel e Hajriz Demaku, të cilët u bënë pishtarë të arsimimit të vajzave të fshatit, duke kontribuuar shumë për çështjen kombëtare, duke ngritur vetëdijen dhe ndërgjegjen kombëtare te popullata, veçanërisht te fëmijët femra për emancipimin dhe shollimin e tyre.
Po me gjuhë sarkastike Dibrani i vë në thumb të kritikës edhe telallxhinjtë përtejkarpatianë serbo-sllavë, të cilin kishin ardhur në trojet tona me misionin e tyre djallëzor ultrafundamentalist për të shkombëtarizuar etnikisht, kulturalisht dhe fetarisht shqiptarët, duke trumbetuar atë tezën e tyre fantazmagorike shoveniste se gjoja Kosova është “Tokë e shenjtë serbe”, “Jerusalem serb”, “Djep i sërbizmit” etj. Në veçanti ai i sulmon ashpër “popat” serbë, të cilët, bashk me Kishën Ortodokse Serbe dhe Akademinë e Shkencave të saj, ishin farkëtuesit kryesorë të mega-projekteve të tyre fashistoide e gjenocidiste në kurriz të neve shqiptarëve. Le ta lexojmë poezinë e tij me titull ”Pop Pera”:
Pop Pera
në katundin tim ishte një kishë
në të shërbente njëfarë pop pera
ne ishim çoban delesh e dhishë
kalonim rreth saj kur çilte pranvera
pop pera na shihte disi si me idhnim
në fytyrën e mërrolur i xixëllinin sytë
i tillë ishte në mbrëmje dhe agim
i rreptë si ai nuk gjeje një të dytë
nga kishte ardhur ne nuk e dinim
thuhej se e kishin sjellur nga larg
sa herë e shihnim si të ngrirë rrinim
dhe ai qëndronte si statujë në prag
të rriturit thonin se kishte ardhë me detyrë
të na merrte tokat të na ndërronte emër
askush kurrë si pa buzëqeshje në fytyrë
veçse ne fëmijët e urrenim me zemër…
…dikur fryu një erë ,një erë e lehtë
pop pera iku nga sytë këmbët
veçse emri i tij gjithkund ka mbetë
në ara e livadhe dhe…në oborr tek lëmët…
Mesazhi përfundimtar, si porosi e fuqishme kombëtare, i Dibranit shpërfaqet te poezia “Qëndro”, ku kërkon të ruhen e mbrohen me fanatizëm vlerat fundamentale të identitetit dhe kulturës sonë kombëtare:
Qëndro
për fis e për farë
për gurë e për arë
qëndro-shqiptar
për prag e për votër
për vëlla e për motër
del flijohu në kodër
për lis e për fis
si një qiparis
jeto ose vdis…
Këtë mesazh ai e vargëzon po kaq fuqishëm edhe te poezitë “Prishtinë” dhe “Rrofsh Gjakovë”, ku ndër të tjerash vargëzon:
Prishtinë
feniks i djegur dhe i rilindur ne flakë
dëshirl dhe ëndërr e vizatuar në shuplakë
ti pika o(zero) e Kosoves mëmë
lot i derdhur dhe i shuar ne syrin tënd
të dua per rëniet dhe ngritjet e tua
flakë dashurie gjithmonë e ndezur në mua
Prishtinë
sa herë vijnë dallendyshet në fillim vere
ti i pret tek porta dhe u hap derën
së bashku me dallëndyshet vijnë edhe shqipet
kush me lot të ëmbël kush me lot të kripët
Prishtinë
ngritur je mbi gjakun dhe eshtrat e të rënëve për liri
sepse ti je Kosovë …sepse ti je Shqipëri”
Rrofsh Gjakovë
rrofsh Gjakovë bijë e atdheut
kurrë Çabratit s’të mbuloi hija
me shtatoren e Skënderbeut
po ringjallet shqiptaria
gëzon fusha gëzon mali
këtu nuk ka vend trinia
qupë pas qupe e djalë pas djali
këtu do rritet shqiptaria…
Dorën në zemër, këto poezi i bëjnë një nder të veçantë kauzës sonë kombëtare nga gjitha pikëvështrimet. Ato, neve si krijues, na sugjerojnë që në krijimet tona të ngremë zërin lart kundrejt gjitha përdhosjeve dhe përbaltjeve që ia bëjnë kauzës sonë kombëtare anti-shqiptarët miopë fundamentalistë.
Uroj që Dibrani edhe më tej të na befasojë me perla e margaritarë të tjerë të çmuar letrarë!
Me respekt dhe konsideratë të lartë atdhetare për këtë poet zëarbëror!