Ideja për korrigjimin e kufirit, e rrezikshme
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë të dielën se ideja për korrigjimin e kufirit me Serbinë është shumë e rrezikshme dhe duhet të pengohet.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se një gjë e tillë duhet të parandalohet ose përmes vendimeve të Kuvendit ose përmes protestave të qytetarëve.
“Ideja për korrigjimin e kufirit apo loja me Luginën e Preshevës është shumë e rrezikshme dhe duhet të pengohet. Ajo që po bën presidenti Hashim Thaçi është e patolerueshme dhe e dëmshme, prandaj duhet të pengohet nga institucionet e Kosovës dhe nëse kjo është e pamjaftueshme, duhet të pengohet edhe nga qytetarët përmes protestave”, është shprehur Kurteshi, duke shtuar se vendit po i kanoset rreziku i ndarjes.
Në këtë kontekst, ai ka paralajmëruar fillimin e protestave në muajin shtator. Pavarësisht prej pretendimeve të Serbisë dhe lëshimeve të presidentit Thaçi në dëm të vendit, Kurteshi ka thënë se qytetarët nuk do të lejojnë as autonomi për veriun dhe as ndarjen e Kosovës.
“Kam besuar se Kosova do të çlirohet nga Serbia atëherë kur Serbia ka qenë shumë e fortë dhe ne kemi qenë mjaft të dobët. Kurse tani gjasat janë shumë më të mëdha dhe është shumë më lehtë ta mbrojmë Kosovën nga ndarja ose nga lojërat që po quhen korrigjim i kufirit. Jemi të vendosur të mos lejojmë ndarjen e Kosovës dhe autonominë e veriut”, ka deklaruar ai.
“Epoka e re”: Z. Kurteshi, cili është qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë?
Kurteshi: Ose nuk po shoh mirë ose puna nuk është mirë. Kam dëshirë me qenë e para por, fatkeqësisht, është e dyta. Ideja për korrigjimin e kufirit apo loja me Luginën e Preshevës është shumë e rrezikshme dhe duhet të pengohet. Presidenti nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga aventurat e filluara në vitin 2011 me bisedimet teknike, pastaj me bisedime politike dhe tash me korrigjim territoresh që në një farë mënyre ka qenë vijë e kuqe nga të gjitha institucionet e Kosovës.
“Epoka e re”: Do të thotë nuk e përkrahni këtë ide dhe e konsideroni të rrezikshme?
Kurteshi: Së pari, nuk e përkrahim idenë që një person të sillet sikur Kosova të jetë çifligu i tij, duke luajtur me bisedime, kufij dhe me çdo gjë. Kosova është e qytetarëve dhe secili që flet me Serbinë duhet ta ketë autorizimin nga organet kompetente, në këtë rast nga Kuvendi i Kosovës. Ajo që po bën presidenti Hashim Thaçi është e patolerueshme dhe e dëmshme, prandaj duhet të pengohet nga institucionet e Kosovës dhe nëse kjo është e pamjaftueshme, atëherë duhet të pengohet edhe nga qytetarët përmes protestave.
“Epoka e re”: Kur do të fillojë mbajtja e këtyre protestave?
Kurteshi: Nuk kemi kurrgjë të detajuar sepse në korrik dhe gusht qytetarët janë nëpër pushime. Mirëpo shtatori është koha kur konsiderojmë se duhet të organizohemi dhe të kërkojmë nga Kuvendi që të marrë vendime të duhura, dhe nëse ato nuk janë të mjaftueshme, atëherë natyrisht se do t’u drejtohemi qytetarëve me kërkesën që ata të dalin në mbrojtje të republikës.
“Epoka e re”: Idesë për korrigjim të kufirit po i referoheni si lojë. A do të thotë kjo se është e pamundur që Lugina t’i bashkohet Kosovës?
Kurteshi: Nuk po them se nuk ka gjasa, por me këto çështje ka njëfarë rendi që duhet të respektohet. Në këtë rend puna e parë që duhet të ndodhë është që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës për të cilën z. Thaçi ka deklaruar me dhjetëra herë se Serbia e ka njohur Kosovën, por kjo nuk është e vërtetë. Gjatë tërë kohës Thaçi ka biseduar me Serbinë jo si dy shtete të pavarura dhe për marrëdhëniet në mes të dy popujve, por për rregullimin e brendshëm të Kosovës që është shkelje e Kushtetutës së Kosovës. Kjo është arsye e mjaftueshme që Kuvendi t’i fillojë procedurat për shkarkimin e Hashim Thaçit nga posti i presidentit.
“Epoka e re”: Do të inicioni ju si Vetëvendosje një gjë të tillë?
Kurteshi: Nuk kemi biseduar në detaje, mirëpo personalisht dy herë kam dalë publikisht me shkrime dhe me idenë se duhet të fillojë kjo procedurë dhe ajo nuk është kundërshtuar nga askush. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në shtator kur ta fillojë punën Kuvendi i Kosovës. Sidoqoftë, nuk mund të jemi indiferentë në situatën kur vendit po i kanoset rreziku i ndarjes.
“Epoka e re”: Me këtë format të dialogut nën drejtimin e presidentit Thaçi sa ka gjasa që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, apo kjo çështje do të mbetet vetëm në nivel të deklaratave?
Kurteshi: Dialogu po ndodh pa format. Dialog po zhvillohet nga një person i paautorizuar sepse askush nuk i ka dhënë të drejtë Hashim Thaçit ta vazhdojë dialogun në emër të Kosovës. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, e cila e ka autorizuar Qeverinë e Kosovës ta udhëheqë dialogun në kohën kur ka qenë Hashim Thaçi kryeministër, ende është në fuqi, sepse atë rezolutë nuk e ka shfuqizuar askush. Thaçi më nuk është kryeministër, prandaj nuk i takon atij ta udhëheqë dialogun. Dialogun ose duhet ta udhëheqë Qeveria ose Kuvendi duhet të miratojë një rezolutë tjetër me të cilën do ta përcaktojë së pari formatin e bisedimeve edhe rendin e ngjarjeve, pastaj delegacionin, në fund edhe kryesuesin e delegacionit. Tek pastaj vijnë kërkesat me radhë të përcaktuara nga institucionet e Kosovës dhe jo një individ që sillet sikur të ishte pronar i Kosovës.
“Epoka e re”: Cili do të jetë epilogu i këtij dialogu pa mbështetjen e opozitës dhe pa arritjen e një konsensusi nacional?
Kurteshi: Ky dialog është ilegal. Nuk është dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo është dialog në mes të Thaçit dhe Serbisë. Prandaj, si i tillë, nuk ekziston dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog është ilegal nga i cili Hashim Thaçi duhet të heqë dorë menjëherë.
“Epoka e re”: Do të jetë i dëmshëm për Kosovën përfundimi i këtij procesi?
Kurteshi: Ky proces është i dëmshëm për Kosovën dhe do të bëjmë përpjekje ta evitojmë një gjë të tillë duke marrë vendime Kuvendi në shtator. Nëse kjo nuk mjafton, atëherë do t’i thërrasim qytetarët që të dalin në mbrojtje të republikës dhe përmes protestave ta kërkojnë mënjanimin e një presidenti të papërgjegjshëm.
“Epoka e re”: Do të kenë efekt këto protesta?
Kurteshi: Jam shumë i sigurt se protestat do të kenë efekt sepse ata që duan ta shpëtojnë vendin nga një dëm tepër i madh do të jenë në rrugë. Në Kosovë pak ka njerëz që nuk u intereson fati i vendit, përveç minoriteti serb i cili është i interesuar që Kosova të mbetet nën Serbi apo së paku një pjesë e saj të ndahet dhe t’i bashkohet Serbisë.
“Epoka e re”: Në opinion këto ditë është përfolur mundësia që nga dialogu veriu do të përfitojë një lloj autonomie. Është i realizueshëm një opsion i tillë?
Kurteshi: Me udhëheqje të papërgjegjshme të dialogut sikur kjo që e kemi ka gjasa të ndodhë gjithçka, por mendoj se me qytetarë aktivë këto gjëra do të pengohen dhe Kosova nuk do të ndahet. Serbët e Kosovës që i kanë të gjitha të drejtat, madje janë edhe të privilegjuar, nuk mund të pretendojnë ndonjë autonomi sepse nuk i kanë as pesë për qind të popullatës. Ata duhet t’i kenë të drejtat që u takojnë me Kushtetutë, madje Kushtetuta u garanton shumë më shumë sesa që ata kanë nevojë, mirëpo kjo çështje është rregulluar me Pakon e Ahtisarit. Të gjithë duhet të angazhohemi për ta parandaluar një katastrofë të madhe që Serbia po mundohet t’ia sjellë Kosovës.
“Epoka e re”: Mund të parandalohet ndarja apo autonomia e veriut?
Kurteshi: Kam besuar se Kosova do të çlirohet nga Serbia atëherë kur Serbia ka qenë shumë e fortë dhe ne kemi qenë mjaft të dobët. Kurse tani gjasat janë shumë më të mëdha dhe është shumë më lehtë ta mbrojmë Kosovën nga ndarja ose nga lojërat që po quhen korrigjim i kufirit. Jemi të vendosur të mos lejojmë ndarjen e Kosovës dhe autonominë e veriut.
Shqipe HETEMI