Identifikohen nevojat për investime në lokalitetet e komunës së Vitisë
Komuna e Vitisë në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), kanë mbajtur të premten një takim me përfaqësuesit e këshillave të fshatrave të kësaj komune, në kuadër të zbatimit të projektit “Rritja e llogaridhënies së Institucioneve lokale”, të mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.
Në këtë takim është diskutuar rreth përfshirjes së kërkesave të qytetarëve të dala nga dëgjimet buxhetore.
Përfaqësuesit e këshillave të fshatrave, kanë paraqitur nevojat që kanë në lokalitetet e tyre, si prioritet për investime, ndërkohë që si kërkesë e domosdoshme është identifikuar më së shumti mungesa e ujit të pijshëm.
Gjithashtu, në këtë takim është diskutuar edhe për projektet e realizuara gjatë vitit 2019 dhe projektet që pritet të realizohen për gjatë vitit 2020.
Takimi i së premtes është mbajtur si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm që ka KDI me zyrtarët komunalë dhe këshillat e fshatrave të Vitisë, në raport me implementimin e projektit të kësaj organizate në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
/Epoka e re/