Identifikohen të dyshuarit në incidentin me granatë dore në veri
Policia e Kosovës ka thënë se i ka identifikuar dy personat e përfshirë në incidentin me granatë dore në orët e vona të së hënës në Mitrovicë të Veriut.
Si pasojë e shpërthimit të granatës janë lënduar dy persona, njëri rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Në këtë incident janë dëmtuar edhe shtatë vetura.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, për Blic, ka thënë se dy personat e identifikuar janë kërkuar nëpër shtëpitë e tyre për intervistim, por nuk janë gjetur në to.
“Mbrëmë rreth orës 23:50 dyshohet se ka shpërthyer një granate dore te hoteli Bisevac ne rr. Knjaz Millosh Mitrovicë Veri, ndërsa si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 7 vetura dhe dy persona janë lënduar. Njëri ka lëndime më të rënda por jashtë rrezikut për jetë. Njësitë policore relevante si dhe Prokurori i rastit ishin në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin. Njësiti i Hetimeve Rajonale Mitrovica Veri ka vazhduar punën sot me intensitet të shtuar dhe tashmë i ka identifikuar 2 persona të cilët janë persona me interes për intervistim. Të njëjtit i kemi kërku edhe në shtëpitë e tyre por nuk janë aty. Besohet se ky konflikt ka qenë pasojë e problemeve të mëhershme në mes të këtyre personave!”, tha Elshani.