IDENTITETI I USHTRISË ÇLIRIMTARE DHE I KOSOVËS

21 qershor 2024 | 12:17

Dr. Sc. Aferdita Dervishi-Dedolli

Çështje të përkufizimit

Nëse flitet për identitetin e dy a më shumë palëve, që është në këtë rast, a mund të thuhet se ka dyfishim të identiteve, që ose e përjashtojnë njëri-tjetrin, ose janë të ndërthurur deri në atë masë, sa nuk mund të flitet për identitete të ndryshme. Prandaj, identiteti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është lufta e saj çlirimtare, kurse rrjedhojë e asaj lufte është liria e kësaj pjese të atdheut, që quhet Shqipëri, sepse Shqipërisë i janë shkëputur pjesë të tokave, që i kanë marrë pushtues të ndryshëm.
Atëherë, cili është identiteti i Kosovës, sidomos pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Identiteti kombëtar i saj, zë fill që në shekullin XV-të, me luftërat afro 30 vjeçare të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, po ashtu që në kohën e ekzistimit të Vilajeteve shqiptare, më tutje, edhe me formimin e krahut ushtarak të Lidhjes Shiptare të Prizrenit, si dhe ishte përmbyllur me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, nga Ismail Qemali. Do të thotë, identitein kombëtar të saj, nuk e ka përcaktuar Lufta e UÇK-së. Identiteti i UÇK-së, ka krijuar hapësirë, po ashtu në marrëveshje me fuqitë e mëdha botërore, të krijohet identiteti shtetëror i Kosovës, i cili si proces historik në rrugën e bashkimit kombëtar, është hapur me Luftën e UÇK-së.

Hyrje

Kur çështjet shtrohen në këtë rrafsh, atëherë mund të thuhet se këto dy identitete, ai i Luftës së UÇK-së, dhe ai i Kosovës, nuk kanë të njëjtin taban historik, por kanë të njëjtën zgjidhje politike. Identiteti i UÇK-së, pra, edhe i luftës së saj çlirimtare, gjatë zhvillimit të saj, gjatë organizimit të saj, edhe në frontet e luftës, ka pasur rëniet dhe ngritjet, të shumtën të kushtëzuar edhe nga rrethanat e brendshme, edhe nga faktorët e jashtëm.
Rrethanat e brendshme ishin pasojë e gjendjes okupuese të Kosovës, por ishin edhe pasojë e kuptimeve të ndryshme të rrugëve për bërjen e lirisë.
Faktorë të rëndësishëm të brendshëm, pra faktorë brenda Kosovës dhe brenda hapësirës shqiptare, nuk e pranonin as luftën çlirimtare, as ushtrinë që bënte këtë luftë çlirimtare, pra Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, siç është quajtur që në fillesën e organizimit të saj në luftën frontale.
Më tutje, si pasojë e pushtimit të gjatë, Kosova nuk kishte as shtet, as pushtet, edhe pse sot e gjithë ditën shtresa të caktuara shoqërore derdhin lot krokodili, për atë që është prishur e nuk po rregullohet asnjëherë, në kohën e vëllazërimit dhe bashkimit socialist, duke i rënë telit të mendësisë se liria do të vinte pa luftë, se do të vinte nga qielli, apo nga diku jashtë, apo siç e ka thënë Holbrook, nga një supremen, e nuk do të kishte nevojë të derdhej tërë ai gjak e të shkatërrohej gjithçka në Kosovë.
Faktori i jashtëm, sidomos qendrat e vendosjes evropiane, duke bërë përpjekje që ta ruanin qetësinë e tyre, pra të Evropës, njësoj si edhe në vitin 1913, kur ishte përgjakur copëtimi i tokave shqiptare, nuk hezitonte ta quante edhe konflikt të brendshëm, nuk hezitonte të kërkonte nga ata që ishin vetëshpallur si përfaqësues të Kosovës, që të disiplinoheshin formacionet ushtarake, të mos vriteshin policia dhe ushtria jugosllave, pastaj ajo serbo-malazeze, të mos shkeleshin konventat ndërkombëtare, si dhe e drejta ndërkombëtare, se shteti që e konsideronte Kosovën pjesë të veten, kishte të drejtë edhe të bënte masakra, kur brenda atij territori shtetëror, shapallej padëgjueshmëri qytetare.
Qendrat evropiane të vendosjes, duke ruajtur lëkurën e vetë, nuk merreshin fare me zgjidhjen e çështjes shqiptare, të cilën e kishin krijuar vetë, siç nuk merren as sot, e nuk do të merren as nesër, sidomos nëse SHBA heq dorë nga projekti i saj për zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Prandaj, identiteti i Kosovës është çështje që kërkon zgjidhje, sipas të drejtës historike të popullit shqiptar, sepse siç po shihet, identiteti shtetëror nuk mjafton për të përmbyllur procesin e bashkimit kombëtar, që ishte ideologjia identifikuese e Luftës së UÇK-së.

Një ushtri që bënte luftë çlirimtare pa shtet dhe pa pushtet

Historiani ushtarak Alan Millett, pohon se identiteti i luftëtarit është pjesërisht i trashëguar dhe pjesërisht i vetë-zhvilluar. Veprimtarët e devotshëm të çështjes kombëtare, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme, në kohë të rënda plumb, e formuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe, aty e gjetën veten e tyre si ushtar të një ushtrie, pa shtet dhe pa pushtet.
Nëse ky konstatim qëndron, gjë që e thonë edhe faktet hisotrike të zhvillimit të ngjarjeve në atë kohë, atëherë çka ishte kjo ushtri që bënte luftë çlirimtare? Ishte një ushtri e dalë nga populli, sidomos nga shtresa atdhetare e popullit, e organizuar në mënyrë vullnetare, pa shtet, sepse Kosova ishte e pushtuar dhe nuk ishte shtet, si dhe pa pushtet, sepse pushteti që thuhej se ekzistonte brenda Kosovës, nuk e kishte mbështetjen e krahut të luftës, rrjedhimisht nuk e kishte mbështetjen e shtresave më të gjera të popullit.
Këtë e dëshmon një fakt i vetëm historik, ai i daljes publike të UÇK-së, në varrimin e mësuesit Halit Geci. Ata që kanë përcjellë ato skena, nuk mund të shkelin mbi faktin e gatishmërisë së shtresave të popullit që të përballen me armikun.
Po ashtu, fjalia që është thënë aty, se ky popull tashti e tutje e ka forcën e vetë që i mbron, e ka ushtrinë e vetë, dëshmon për identitetin çlirimtar të saj. Do të thotë, deri atëherë Kosova nuk kishte një forcë që mund të dilte para popullit dhe të thoshte se tashti e tutje, ka kush u mbron nga pushtuesi.
Në këtë rrafsh, identiteti i UÇK-së, përveç karakterit çlirimtar të luftës, që në fronte fillon më 1997, ka edhe karakter të identitetit kombëtar, sepse që në Betimin e Ushtarit, kishte përcaktuar karakterin e saj kombëtar- çlirimin e të gjitha pjesëve të pushtuara të atdheut dhe bashkimin e tyre me shtetin amë, Shqipërinë. Përkatësisë së këtillë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk mund t’i hiqen as fjalët, as shenjat e pikësimit, ngase nëse do të ndodhte të hiqej diçka, atëherë përkufizimi bëhet i njënjëshëm me qendra të caktuara të Evropës plakë, që e ka quajtur konflikt të brendshëm.
Do të thotë, as konflikt në mes dy grupeve kombëtare, në mes dy grupeve, që historikisht ishin në armiqësi shekullore, sepse serbi tokat e huaja i kishte marrë dhe i konsideronte të vetat, pa asnjë të drejtë historike, kurse grupi tjetër etnik, shqiptarët pra, me Ushtrinë e tyre çlirimtare, luftonin për ta korrigjuar këtë padrejtësi historike.
Në anën tjetër të këtij përkufizimi, është vënë identiteti i Kosovës, pa ndonjë argumentim të mbshtetur në fakte historike, përveç nëse kërkohet që në shekullin XXI të krijohet një komb i ri, ai kosovar, që është kundër historik, që mohon ekzistencën e kombit shqiptar, i cili është formuar në të njëjtin shekull si dhe kombet e tjera të botës moderne.

Identiteti i Kosovës është vetëm identitet shtetëror

Pse mund të thuhet kështu? Ka disa arsye, të cilat edhe në dijen tonë historike, por edhe në trajtesa të veçanta, as nuk përmendet sa duhet, as nuk përkufizohet drejtë. Arsyet janë të shumta, por disa janë vendimtare, që do të preken këtu, pa u lodhur shumë, radhitën sipas meritës së vlerës, apo pa pasur ngarkesë se i bien dikujt tamam, apo nuk i bien.
Së pari, Kosovën e kanë njohur shtet kryesore të botës, fuqitë më të mëdha, ato që ishin bërë krahë i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, ato shtete ishin bërë krahë i luftës, kur Kosova nuk ishte ende shtet.
Së dyti, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte dhënë përgjigje pozitive në kërkesën e Serbisë, se Kosova nuk mund të bëhej shtet, së paku pa e pyetur Serbinë.
Së treti, Kosova ka mbajtur disa palë zgjedhje të lira, edhe sipas vlerësimit të qendrave evropiane, në të cilat janë përfshirë edhe komunitetet pakicë me të drejta më të mëdha se kudo në Evropë, ngase Kosova nuk guxonte të bashkohej me asnjë shtet fqinj, thuajse ajo do të bashkohej me dreqin e të birin, e jo me shtetin amë, Shqipërinë.
Së katërti, qoftë edhe vetëm ky përkufizim, se nuk ka të drejtë të bashkohet me asnjë vend fqinj, dëshmon për dy rrafshe të ndryshme identitetesh. Për rrafshin e parë të identitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si bartëse e idealit kombëtar, që historikisht ka hapur procesin e madh historik të bashkimit kombëtar, i cili një ditë, doemos do të realizohet, qoftë edhe vetëm për hir të padrejtësive historike që i janë bërë popullit shqiptar. Për rrafshin e dytë të identitetit të Kosovës, së cilës nuk i njihet identiteti i saj kombëtar, por aq më keq, nuk ka të drejtë të bashkohet me shtetin amë, Shqipërinë.
Kush mund ta shpjegojë këtë logjikë të qendrave evropiane të vendosjes, mund të ketë rastin të bëhet njohësi më i mirë i përpjekjeve të Evropës në procesin e Bashkimit Evropian.

Përfundim

Ushtria e dalë nga populli, promovoi rregulla e norma etike të sjelljes, gatishmëri për të bërë sakrificën sublime për kombin e për tokën arbërore andaj ishte bërthama e bërjes së lirisë. Në përkufizimet e deritashme del se identiteti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është çlirimi i pjesëve të pushtuara të atdheut tonë, Shqipërisë.
Kosova nuk mund të përkufizohet si atdhe i shqiptarëve, sepse kështu kanë vendosur fuqitë e mëdha, sepse ndryshe do të kërkohej bashkimi kombëtar, gjë që e pengonte, siç e pengon edhe sot e nesër, sidomos Evropën, me atë politikën e saj të kritereve të dyfishta.
Më tutje, udhëheqës të shqiptarëve, në këto 25 vjet pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe pas Luftës së UÇPMB dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, sa herë në fushata zgjedhore kanë përmendur bashkimin kombëtar, të nesërmen janë tërhequr nga deklarimet e tyre, qoftë nën trysninë evropiane, qoftë nga mendësia e tyre fisnore, sepse u mjaftonin gjysmat e pjesët që u kishin lënë të tjerët. Sido që të jetë bashkimi kombëtar nuk bëhet me deklarata as me fjalë, por bëhet me veprim konkret, që duhet të fillojë nga unifikimi i kutikulave shkollore për të vazhduar tutje.
Prandaj, argumentohet se politika që zhvillohet në jetën e shqiptarëve, nuk është politikë e bashkimit kombëtar. Kurse lufta që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka hapur procesin e madh historik të bashkimit kombëtar. Nëse realizohet ky projekt, që një ditë do të realizohet doemos, atëherë mund të flitet edhe për identitetin e këtyre dy rrafsheve, të Kosovës dhe të UÇK-së, si rrjedhojë normale e proceseve historike, në të cilët janë korrigjuar padrejtësitë historike të shkaktuara, edhe nga faktori i brendshëm, edhe nga ai ndërkombëtar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marr vendim të premten…