Idriz Ajeti i amshimit
Prof. dr. Hysen Matoshi
Dy vjet më parë, si rrallë ndokush tjetër, Akademik Idriz Ajetipati mbushur një shekull jete. Mbijetoi dy luftëra botërore dhe luftën e fundit në Evropë, përjetoi rrezet e vakëta të lirisë së Kosovës. Dy vjet pasi hyri në qindvjeqarin e dytë, u largua nga kjo jetë duke lënë prapa vetes një trashëgimi të begatë biografike e bibliografike. Jeta, veprimtaria intelektuale dhe vepra e tij shkencore janë të lidhura ngushtë me rrugëtimin e vështirëhistorik të kombit të tij, me ecjene shqiptarëve drejt caqeve tëlirisë, tëdijes e të përparimit. Më 13 shkurt mbylli sytë njëra ndër dëshmitë më sinjifikative e më bindëse të ndryshimeve të mëdha në jetën e shqiptarëve, njëri ndër faktorët që, si subjekt i palodhshëm, ka dhënë ndihmesë tëçmuar në proceset më jetike nëpër të cilat kaloi gjysma e kombit shqiptar.
Nisur nga ky fakt është vështirë të përmbledhësh në një fjalë të shkurtër meritat e një njeriu shekullor e shembullor. Jam i sigurt se për Akademik Idriz Ajetin, më shumë se e djeshmja dhe e sotmja, do të flasë e ardhmja, e cila do të nxjerrë në pah kontributet e tij punëmbara e larghedhëse. Jetëgjatësia e tij është fati i tij individual, kurse gatishmëria, guximi dhe profesionalizmi që të vihet në krye të një vargu të proceseve zhvillimore të sferës së arsimit, të shkencës, të ngritjes së kapaciteteve institucionale shoqërore e kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi – përbën fatin tonë të madh si kolektivitet. Nuk ka qenë e lehtë që të bënte jetë shekullore me përplot sfida dhe të mbetej prore i lidhur për parimësinë karakterizuese profesionale, etike, kombëtare e njerëzore.
Një varg arritjesh tona në sferën e arsimit, veçmas të atij të lartë dhe në sferën e shkencës janë përjetuar edhe si arritje të përmasës kombëtare, pa lënë anash as zhvillimet historike që shënuan kthesat e mëdha në historinë tonë më të re. Në këto procese, në të cilat elita e asokohshme intelektuale shqiptare ishte e angazhuar, Profesori ynë ka dhënë ndihmesë të çmueshme. Emri i tij është bërë sinonim i Institut Albanologjik, i revistës “Gjurmime albanologjike”, i Universitetit të Prishtinës, i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i Këshillit për Mbrojtjen e tëDrejtave dhe tëLirive tëNjeriut dhe madje-madje edhe i organit më të lartë përfaqësues e ligjvënës, Kuvendit të Republikës së Kosovës, në krye të të cilit pranoi të vihej në një kohë të vështirë.
Në vend se t’i them disa nga datat e rëndësishme të biografisësë Profesorit tonë të nderuar, e që për hir të së vërtetës themse janë të njohura gjithandej, në rend të parë për faktin se janë data bazike për historinë tonë të përgjithshme,dua të flas për disa veçanti që e karakterizuan si njeri, si intelektual, si pedagog dhe si dijetar.
Së pari, mund të thuhet se aksioma themelore profesionale e Idriz Ajetit në punën e tij studimore ishte e vërteta shkencore. E vërteta, si arritje e argumentuar diturore, e bazuar në faktografi dhe e interpretuar me një logjikë të akceptueshme dhe konkurruese edhe përtej arealit tonë kombëtar. Më parë se rezultatin e dëshiruar, sikundër ngjet shpesh në shkencën tonë, profesori e ka kërkuar rezultatin e dëshmuar dhe për këtë i ka ndihmuar e vërteta shkencore, vlera e së cilës kapërcen kohët dhe hapësirat.
Së dyti, nuk ka ndonjë arritje me peshë në fushën e gjuhësisë shqiptare, që nga gjysma e dytë e shek. XX e këtej, që mund të identifikohet pa emrin e tij. Kujtojmë në krye të herës rolin e madh për standardizimin e shqipes, por edhe rezultatet e tij orientuese në disiplina të ndryshme të gjuhësisë, si në dialektologji, etimologji, leksikologji, onomastikë, histori të gjuhës, kulturë të gjuhës, pa lënë anash askontributet rreth raporteve të shqipes me gjuhë të tjera. Akademiku ynë nuk është vetëm emër i përveçëm në fushën studimeve moderne gjuhësore te ne, sikundër ndonjëherë përkufizohet. Më shumë se sa kaq, mund të thuhet se trashëgimia e tij e gjertanishme diturore përbën një shkollë të studimeve të thelluara, shteruese e kritike për shqipen.
Së treti, në planin e angazhimit intelektual, shoqëror e kombëtar Profesor Idriz Ajeti ka dëshmuar konsistencën e tij, gatishmërinë e përhershme që, në suaza të rrethanave objektive, të angazhohet me një konstruktivitet të pashembullt për zgjidhjet më të mira të çështjeve. Puna e tij, në këtë drejtim, është dëshmuar si këmbëngulëse dhe edhe frytdhënëse. Është ndër të paktët që ka folur në kohën e duhur dhe me gjuhën që u përgjigjej rrethanave, duke pasur gjithnjë synim të vetëm interesin e përgjithshëm.
Autoritetet e një shoqërie, përgjatë veprimtarisë dhe jetës së tyre, rëndom konsumohen. Dikush që ishte autoritet dje mund të mos jetë sot dhe e kundërta. Megjithatë, akademik Idriz Ajeti mbetet një shembull sui generis në këtë drejtim. Ishte dhe si trashëgimi mbetet një autoritet shkencor, intelektual e moral, i tejkohshëm në shoqërinë tonë, i matshëm vetëm me veten e tij.
Ndonëse Idriz Ajeti i përket botës shqiptare si një vlerë e rëndësishme që doli në pah në proceset e vështira të mbijetesës e të përparimit tonë të përgjithshëm; ndonëse interesimet e tij shkencore përfshijnëmaterie që nga shpërfaqjet më skajore të shqipes – sikurse është e folmja e arbëneshëve të Zarës, e deri te vlera më kulmore e unifikuese gjuhësore si shpërfaqje e identitetit modern të shqiptarëve – sikurse është shqipja standarde, Idriz Ajetipër ne, si Institut Albanologjik, mbetet njëra ndër vlerat më konstante të punës institucionale shkencore nga fillimi e deri në ditët e sotme.
Pjesa më madhe e jetëshkrimit shekullor të Profesor Idriz Ajetit është e ndërlidhur ngushtë me të gjitha fazat e themelimit, të strukturimit dhe të zhvillimit të Institutit Albanologjik. Kështu, ishte ndër bashkëpunëtorët e paktë të Institutit Albanologjik që në themelimin e tij më 1953, ishte pjesë e rëndësishme edhe me rastin e rithemelimit më 1967, si drejtues dhe, pse të mos thuhet, edhe si ikonë identifikuese e këtij institucioni kërkimor-shkencor.Në dy mandate drejtor në kohë të vështira e përplot sprova, në galerinë e personaliteteve eminente të institucionit tonë kërkimor-shkencor, Akademik Idriz Ajeti vijon të mbetet i pakontestueshëm nga të gjithë brezat e punonjësve tanë, frymë dhe frymëzim për ta. Nisur nga ky fakt Këshilli Drejtues ka vendosur që ta themelojëçmimin vjetor të Institutit Albanologjik për veprën më të mirë në fushën e studimeve shqiptare. Ky çmim që, për herë të parë jepet sivjet, do të mbajë emrin Idriz Ajeti.
Le ta duam dhe ta nderojmë këtë emër të madh të shkencës dhe të botës shqiptare!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Akademik Idriz Ajetin!
(Fjalë e mbajtur në mbledhjen përkujtimore me rastin e vdekjes së akademik Idriz Ajetit)