Idriz Vehapi rizgjedhet kryetar i PDK-së në Rahovec
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Rahovec, ka mbajtur Kuvendin zgjedhor të degës, në prani të qindra delegatëve nga të gjitha nëndegët, ndërsa me vota të fshehta zgjedhur për kryetar, Idriz Vehapin.
Kuvendi zgjedhor ka zgjedhur dhe 61 anëtarë të Këshillit Drejtues dhe 16 anëtarë për Konventën Qendrore.
Punimet e këtij Kuvendi, i ka përshëndetur zëvendës kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se kjo parti si gjithë andej Kosovës dhe në Rahovec në çdo fshat dhe qytet ka mbajtur një proces zgjedhor fer, të lirë dhe demokratik.
Hoxhaj ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë me rrol kyç në ndërtimin e shtetit tonë, prandaj, sipas tij sa më e fortë që është PDK-ja, nga Sharri në Shalë të Bajgores, aq më e fortë është Kosova.
“Sa më të fortë jemi, aq më shumë detyra të mëdha kryejmë, aq më shumë forcohet vizioni i Kryetarit, Kadri Veseli”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se Dekada e re, e ideuar nga kryetari Veseli, nënkupton më shumë vende të reja të punës, më shumë zhvillim ekonomik dhe më shumë mbështetje për fermerët.
Ndërkaq, Idriz Vehapi e ka paraqitur një raport pune në mes të dy kuvendeve. Ai ndër të tjera ka thënë se PDK-ja mbetet subjekti më i konsoliduar në Rahovec.
Po ashtu, ai ka potencuar se PDK-ja në zgjedhjet e ardhshme do të qeveris përsëri në Komunën e Rahovecit.
/Epoka e re/