Idrizi: Titulli sërish do të jetë i Trepçës ’89

18 janar 2018 | 17:14

Kapiteni veteran i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, po beson se skuadra nga Mitrovica do të shpallet për të dytin vit radhazi, kampione e Kosovës në futboll. “Sa i përket titullit, mund të them se të gjithë në klub po besojnë se sërish do të fitojmë ne, por jemi të vetëdijshëm se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë dhe beteja do të jetë e ashpër deri në fund”, ka thënë Idrizi.

Kapiteni i skuadrës së Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, duket se nuk është i ngopur me titullin e parë të fituar me skuadrën nga Mitrovica. Lojtari me përvojë të madhe ka thënë të mërkurën për “Epokën e re” se titulli i kampionit për sezonin 2017/2018 do t’u takojë kampionëve aktualë. “Sa i përket titullit, mund të them se të gjithë në klub po besojnë se sërish do të fitojmë ne, por jemi të vetëdijshëm se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë dhe beteja do të jetë e ashpër deri në fund”, ka thënë Shpëtim Idrizi, i cili më pas ka folur edhe për këtë garë që, sipas tij, pritet të jetë mjaft e fortë deri në xhirot e fundit të kampionatit. “Sa i përket garës për titull, mund të them se është e hapur si asnjëherë më parë, ku katër pesë ekipe do të luftojnë deri në fund. Këtë ia mundëson diferenca e vogël e pikëve, prandaj ky kampionat është mjaft atraktiv për të gjitha klubet, por edhe për adhuruesit e futbollit”, ka shtuar ai.

I pyetur për stërvitjet e klubit nga “Riza Lushta”, Idrizi ka deklaruar: “Përgatitjet janë duke ecur jashtëzakonisht mirë. Për fat të mirë, të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë fizike dhe janë duke punuar me ritëm të lartë”.

Trepça ’89, që ishte skuadra e parë nga Kosova që bëri debutimin në Ligën e Kampionëve pas përfundimit të sezonit vjeshtor në postin e trajnerit, e ka emëruar trajnerin nga Shqipëria, Gusgash Magani. Kapiteni Idrizi lidhur me këtë lëvizje nga drejtuesit e klubit, ka thënë se është e mirëseardhur për të gjithë në skuadër dhe se Magani do të jetë një plus për ’89-shin në garën për titull. “Trajneri i ri nga Shqipëria normalisht se do të na ndihmojë drejt arritjes së synimeve që kemi në këtë edicion. Ardhja e tij i ka gëzuar të gjithë futbollistët. Besoj se do të kemi një përfundim të kampionatit në mënyrë të suksesshme”, ka deklaruar Idrizi.

Sezonin vjeshtor Trepça ’89 e përfundoi në pozitën e shtatë me 27 pikë, shtatë pikë më pak se skuadra lidere, Llapi.

(Veton ZYMBERI)  

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, vizitoi të enjten…