
Idrizi: Trepça ’89 synon mbijetesën dhe Kupën
Trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, ka folur për faqen zyrtare të klubit. Ai ka deklaruar se në skuadër mund të arrijnë 3-4 përforcime, teksa ëndërrojnë ta prekin finalen e Kupës së Kosovës.
“Kemi filluar stërvitjet. Më gëzon fakti që futbollistët, përkundër pushimit, janë në gjendje të mirë fizike. Do të mundohemi që fazën e parë dhe të dytë ta përfundojmë në Mitrovicë e pastaj në fazën e tretë të aranzhojmë ndeshje miqësore për të punuar në pjesën tekniko-praktike dhe ta përdorim atë fazë për adaptimin e përforcimeve eventuale”, ka thënë Idrizi.
“Kemi përbërje të re dhe premtuese. Na duhet koordinim dhe adaptim me lojën tradicionale që e bën skuadra. Synojmë 3 deri në 4 emra të rinj për ta shtuar konkurrencën dhe cilësinë. Synimi ynë është pjesa e epërme e renditjes dhe largimi nga zona e rrezikshme, ndërkohë synojmë që në Kupë të shkojmë sa më lart dhe nëse jemi me fat, ta arrijmë edhe finalen”, ka shtuar Idrizi.