IFC dhe BE-ja nxisin rritjen e integrimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor
IFC-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) nënshkruan të parin nga projektet e hartuara për trajtimin e çështjeve kryesore të zhvillimit, të identifikuara në Planin Ekonomik dhe të Investimeve (PEI) të financuar nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor 2021-2027 dhe që do të zbatohen nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP).
Këto projekte do të fokusohen në energjinë e rinovueshme, ndryshimet klimatike dhe për një sektor privat më të fortë.
Qëllimi i tyre është të nxisë integrimin ekonomik rajonal, të mbështesë ekonominë e gjelbër, energjinë e rinovueshme dhe digjitalizimin si edhe reformat e nevojshme për të avancuar në rrugën e pranimit në BE.
Projekti i parë në kuadrin e këtij partneriteti ka për qëllim të ndihmojë përparimin në fushën e dekarbonizimit dhe përmirësimin e eficiencës së burimeve të parqeve industriale anembanë rajonit.
Diagnostikimi paraprak do të pasohet nga zbatimi i katër projekteve pilot për parqet industriale në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Kosovë dhe Shqipëri.
IFC-ja, së bashku me Bankën Botërore (BB), është institucioni financiar ndërkombëtar që i është bashkuar së fundmi KIBP-it, duke krijuar një partneritet me rëndësi të madhe për të mbështetur veprimtarinë e sektorit privat në rajon, trajtimin e çështjeve emergjente të zhvillimit, krijimin e vendeve të punës dhe sigurimin e qendrueshmërisë afatgjatë.
Katarina Mathernova, zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe kryetare e KIBP-it, ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes së parë të bashkëpunimit me IFC-në përmes KIBP-it duke thënë se: “Nënshkrimi i sotëm shënon një arritje të rëndësishme. Ai konsolidon zyrtarisht partneritetin e Komisionit Evropian dhe IFC-së në Ballkanin Perëndimor përmes KIBP-it dhe krijon mundësi për investime publike dhe private për të lehtësuar tranzicionin energjetik të parqeve të ndotura industriale”.
Projekte të tjera të parashikuara synojnë të mobilizojnë instrumente financiare të garantuara për shoqëritë e agrobiznesit të afta për të përballuar kredi, duke mundësuar modernizimin shumë të nevojshëm të sektorit, transformimin digjital dhe përmirësimin e kapaciteteve të ndërmjetësve financiarë për çështjet e ndryshimeve klimatike, duke i lejuar ata të zgjerojnë shtrirjen e tyre tek Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM).
“Ne jemi krenarë për partneritetin tonë të fortë me BE-në në Ballkanin Perëndimor. Ky është një rajon ku ne shohim potencial të jashtëzakonshëm për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve duke ndihmuar sektorin privat”, ka theksuar Alfonso Garcia Mora, zëvendëspresident i IFC-së për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibet.
Ai ka thënë se projektet tona bazuar në këtë partneritet do të ndihmojnë në krijimin e mundësive për investime në rajon, rritjen e konkurrencës dhe përmirësimin e kapaciteteve përballuese ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.
KIBP siguron financim për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve prioritare në infrastrukturë, duke përfshirë burime nga Instrumenti i Komisionit Evropian për Asistencën e Para-Aderimit (IPA), 20 donatorë dypalësh, hua nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe financat kombëtare.