IFC-ja mbështet kreditë mikrofinanciare për agrobiznesin

17 dhjetor 2021 | 12:54

Mikro-ndërmarrjet, agrobizneset dhe fermerët e vegjël, duke përfshirë kompanitë në pronësi të grave në Kosovë, do të kenë qasje të përmirësuar në financim me një investim të IFC-së në tri institucionet mikrofinanciare (IMF).

Kjo do të ndihmojë në ngritjen e konkurrueshmëris në sektorin agrofinanciar, krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e jetesës dhe ngritjen e sigurisë ushqimore në vend.

IFC, së bashku me Dritaren e Sektorit Privat të Programit Global të Bujqësisë dhe Ushqimit (GAFSP), ka aprovuar kredi prej 8 milionë euro për KEP Trustin (KEP), Kreditimin Rural të Kosovës (KRK) dhe Agjencionin për Financim në Kosovë (AFK).

Duke adresuar mungesën për financim me të cilin ballafaqohen agrobizneset e vogla dhe fermerët, fondet e kredisë do të përdoren për huadhënien e mëtejme të ndërmarrësve individual dhe mikrobizneseve në Kosovë prej së cilave të paktën 50 për qind të dedikuar për agrobizneset.

Mbi 60 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në zonat rurale dhe janë të varur nga bujqësia.

Bujqësia është njëri nga kontribuesit kryesor në ekonominë e Kosovës, duke zënë rreth 8 për qind të bruto produktit vendor (BPV), 18 për qind të eksporteve dhe rreth 30 për qind të punësimit. Megjithatë, sektori është i nënshërbyer nga bankat, duke limituar rritjen e bizneseve të vogla dhe fermerëve.

“Kredia e IFC-së do t’u ofrohet mikro-ndërmarrjeve vendore, të vogla dhe të mesme, veçanërisht duke pasur qëllim financimin e investimeve të cilat do ta ngrisin konkurrueshmërin e MNVM-ve në tregjet vendore dhe ato rajonale”, ka thënë Lulzim Sadrija, kryeshef ekzekutiv i KRK-së.

Ndërkaq Shpend Nura, kryeshef ekzekutiv i KEP-it, ka thënë se kredia e IFC-së dhe GAFSP-së do të rrisë ndjeshëm kapacitetin kreditues për grupin e tyre specifik të klientëve në Kosovë.

“Zhvillimi i bujqësisë është i një rëndësie të madhe, prandaj një pjesë e madhe e portofolit tonë i dedikohet mikro-ndërmarrjeve dhe atyre të vogla në agrobiznes dhe bujqësi”, ka thënë ai.

Financimi nga IFC-ja dhe GAFSP-së përfshin kreditë afatgjata – 4 milionë euro për KEP-in, 3 milionë euro për KRK-në dhe 1 milionë euro për AFK-në.

Meqenëse IMF-të në Kosovë kanë qasje të kufizuar në fonde, mbështetja e IFC-së do të frymëzojë besimin në mesin e kredidhënësve të tjerë, në veçanti të bankave private, duke i shtyrë ato që të ofrojnë financim për industrinë mikrofinanciare.

“Me mbështetjen e vazhdueshme financiare nga IFC-ja, AFK-ja ka arritur tek një numër më i madh i fermerëve të vegjël pa mbështetje financiare në Kosovë, duke u ofruar qasje të qëndrueshme në mikro-kredi”, ka pohuar Vahdet Anadolli, kryeshef ekzekutiv i AFK-së.

Ai ka thënë se në mes të pandemisë me Covid-19, një nga prioritetet strategjike të IFC-së në Kosovë është që të ndihmojë në përmirësimin e qasjes tek kreditë për MNVM-të, veçanërisht segmenteve më të ndjeshme dhe të nënshërbyera, duke përfshirë kompanitë në pronësi të grave dhe agrobizneset.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Shtati i shqiptarit Afrim Myrtaj nga Gjilani, është…